Rama, punonjësve të bashkisë Tiranë: E mirëkuptoj lëndimin tuaj, po nuk duhen përsëritur tubimet para SPAK e GJKKO

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tubimi para organeve të     Drejtësisë nuk duhet të përsëriten, duke iu referuar tubimit para GJKKO ditën kur verifikohej masa e sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Në një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, Rama u shpreh se kërkoi t’i takonte pasi siç u shpreh ai, “gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush dhe shumë të prekur, të lënduar që në ditën që kryetari i bashkisë u la në burg pa gjyq”.

“Nuk dua t’i gjykoj keq, përkundrazi i mirëkuptoj emocionet e tyre, por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më as nga ju as nga askush që punon për shtetin shqiptar, në cilindo institucion”, tha Rama.

Duke iu drejtuar punonjësve të bashkisë së Tiranës, Rama tha se “secili dhe secila prej jush përfaqëson një skuadër të madhe, një institucion kyç të këtij vendi, një pushtet autonom që në asnjë mënyrë nuk duhet të shfaqet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur, siç është pushteti i drejtësisë”.

“Që të jemi të qartë unë nuk mendoj shumë ndryshe nga ata që shkuan atje për sa i takon ndërprerjes pa gjyq të kontratës së kryetarit të bashkisë me qytetarët e kryeqytetit, i cili mbahet sot në burg”, shtoi Rama.

Kjo këmbanë, vijoi kryeministri, “bie për ata që duan të dëgjojnë me statusin e të dyshuarit dhe ende jo me atë të të pandehurit dhe lëre më pastaj e atë të fajtorit, çka është e papranueshme dhe logjikisht dhe e pashpjegueshme për të gjithë ata çerek e ca milionë qytetarë që e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë që të rrijë në zyrë dhe jo të mbyllet brenda pa gjyq”.

Rreth 6 mijë punonjës marrin pjesë në takim bashkë me drejtoritë në varësi të bashkisë.

Takimi vjen pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj më 10 shkurt me urdhër të SPAK.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime me drejtuesit e bashkisë ndërsa Anuela Ristani mban të deleguar firmën e kryebashkiakut Veliaj

Duan t’i vënë kazmën Reformës në Drejtësi dhe llogores sonë të luftës kundër korrupsionit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria që ai drejton, shembi arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi ndërsa me procesin e vetingut, pastroi një pjesë të rëndësishme të sistemit.

“Ashtu siç ne e transformuam Tiranën, nga një ferr mbi tokë, në një qytet europian, me vizion kurajo dhe mundime, shumë të mëdha, ashtu ne kemi vendosur të transformojmë edhe drejtësinë në Shqipëri. Ashtu siç shembëm ato ngrehinat e shëmtuara, që kishin varrosur parqet nën barqet e tyre plot ujëra të zeza, ashtu kemi shembur arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi. Dhe me Vetingun, kemi pastruar një pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, të cilin e trashëguam nga ekzaktësisht nga po ata që trashëguam Tiranën e 25 viteve më pare”, deklaroi Rama gjatë një takimi me punonjës të bashkisë së Tiranës.

Rama tha se për këtë, opozita i ishte kundërvënë, njëlloj siç i ishte kundërvënë kur ndërtoi hyrjen e Tiranës te “Zogu i Zi”, apo sheshin “Skënderbej”.

“Dhe tamam ashtu siç na u kundërvunë me dhunën e injorancës së tyre dhe me llumin e kënetës ku kanë 30 e kusur vite që llokoçiten edhe kur nisëm të ndërtonim hyrjen moderne të “Zogut të Zi”, edhe kur nisëm të ndërtonim sheshin “Skënderbej”, duke ia vënë kazmën që të dyjave, për t’i zëvendësuar me shpifësirat e tyre antiqytet, ashtu duan t’i vënë kazmën edhe Reformës në Drejtësi, SPAK-ut dhe llogores sonë të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se Reforma në Drejtësi do të marrë kohën e saj për t’u ndërtuar dhe se organet e reja të drejtësisë nuk kanë se si të jenë të pagabueshme.

“Ashtu si Roma, që nuk u ndërtua në 7 ditë, edhe Tirana e re mori vitet e saj edhe drejtësia e re do të marrë të sajat, teksa dhe po ashtu njëlloj si ne, që të gjithë në detyrën tonë bëjmë gabime, bën më shumë gabime ai që punon më shumë se sa ai që nuk di çfarë është puna, edhe organet e reja të drejtësisë nuk kanë se si të jenë të pagabueshme”, theksoi Rama.

Unë e di mirë, vijoi ai, që gabimet tona nuk shkatërrojnë jetë njerëzish, familje, sipërmarrje dhe deri edhe interesa publike, siç ndodh kur gabon drejtësia.

“Dhe të kërkosh nga një drejtësi e re, me kaq pak vite pavarësi, dhe kaq pak kulturë europiane, akoma siç është kjo e jona, për më tepër në një klimë të hajvanizuar totalisht nga prokurorët televizivë, gjykatësit digjitale dhe nga opozitarët kallajdalë, është njëlloj si të hedhësh një fëmijë në ujë e t’ i thuash mos u lag”, tha ai.

Por, theksoi Kryeministri, nuk ka asnjë alternativë të ndarjes së palëkundshme me historinë 100 e kusur vite të pandëshkueshmërisë pa kosto.

“Pa marrë përsipër edhe kosto, kosto politike, morale, kosto njerëzore të dëmeve kolaterale si kjo që ne e kemi udhëhequr me Reformën në Drejtësisë dhe që nëse duam që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë, siç është Tirana sot, europiane për të gjithë, atëherë duhet të shtrëngojmë dhëmbët të durojmë dhe të vazhdojmë të luftojmë. Nganjëherë këto dëme janë vërtet sa të dhimbshme edhe të padrejta, por kush udhëheq nuk duhet të lëkundet nga asnjë dhimbje në rrugën e drejtë të përmbushjes së vizionit për të cilin e kanë zgjedhur, përndryshe asgjë nuk ndryshon ose ndryshon për keq e degradon e kalbet si Tirana kur në vitin 2000 hyra në bashki”, u shpreh Rama.

Drejtësia t’i japë Veliajt të drejtën elementare të një gjyqi dinjitoz, fund praktikës brutale të prangave pa gjyq

Kryeministri Edi Rama kërkoi që makineria e bashkisë së Tiranës nuk duhet të fiket në asnjë minutë por duhet të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet.

Në takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Rama i siguroi ata se deri kur të vendoset çështja e kryetarit të bashkisë vëmendja e tij për bashkinë e Tiranës për nevojat e punës do të jetë e pandërprerë.

“Barra juaj e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minutë, por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju se deri kur çështja e kryetarit të bashkisë të vendoset në një drejtim apo një tjetër, vëmendja ime për bashkinë e Tiranës, për nevojat e punës suaj do të jetë e pandërprerë”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se nuk i takon atij të thotë nëse Veliaj është i pafajshëm apo fajtor.

“Pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe në këtë rast dhe t’ia lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë, duke mbështetur plotësisht organet e drejtësisë”, shtoi Rama.

“Uroj dhe dua të besoj akoma se përtej asaj çka mendojnë për fajësinë e tij organet e drejtësisë do t’i japin kryebashkiakut të Tiranës të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikës brutale të prangave pa gjyq për kryebashkiakë dhe për punonjës të shtetit në detyrë, kur as janë kapur në flagrancë, as paraqesin ndonjë rrezik arratisje, as kanë çfarë provash të prishin”, tha Rama.

Asnjë buf nga këneta politike nuk mbulon dot diellin e transformimit kolosal të Tiranës

Kryeministri Edi Rama u shpreh se asnjë buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës së madhe politike dhe mediatike nuk e mbulon dot me shoshën e blozës dhe të llumit diellin e transformimit kolosal historik të Tiranës.

Kryeministri solli në vëmendje transformimin e Tiranës që ka nisur që me drejtimin e tij në krye të bashkisë, për të vijuar me punën që është bërë gjatë drejtimit të Erion Veliajt.

“Pa mua që e nxora nga koma dhe rrënojat, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe të PS-së, të socialistëve dhe progresistëve kryeqytetas dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik gjithëvjetor me mbështetjen e pakursyer të të gjithëve ne, ky qytet nuk do të ishte dot kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë që të gjithë, opozitarë, prokurorë, gjykatës, analistë, gjithologë, gazetarë e qytetarë”, tha Rama.

Rama theksoi se sot qytetarët e Tiranës shkojnë e vijnë në punën e tyre duke i çuar fëmijët në çerdhe, kopshte dhe shkolla që nuk i lënë asnjë gjë mangët shkollave të BE-së.

“I çojnë të afërmit në një spital që nuk i lë gjë mangët spitaleve të BE-së. Dhe duke shëtitur nëpër parqe bashkë me prindërit e tyre pensionistë dhe duke dalë edhe për vrap nga liqeni në një park si parqet në Europë dhe jo si ai parku ku u zhvillua lufta e fundit civile e Tiranës mes disa specieve të kënetës opozitare të armatosur me pistoleta dhe policëve bashkiakë për t’i hapur rrugë një këndi lojërash”, shtoi Rama./ata

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu