Mançester Siti dhe Arsenali i janë përgjigjur shpejt fitores së Liverpulit në javën e 7 të Premier Ligës, duke mos lejuar “të kuqtë” që të shkëputen të vetëm në kryesim. Të dy ndjekësit kanë fituar, por jo pa vështirësi përballjet e tyre.
Mançester Siti luante në fushën vet ndaj Fullhemit dhe pas vetëm pak miniutash e pa veten në disavantazh pas golit të Pereiras. Por dy gola radhazi të Kovaçic ndryshuan rrjedhën e ndeshjes, ndërsa Doku thelloi diferencën në minutën e 82-të. Goli i Muniz në fund shërbeu vetëm për të bërë pak më dramatikë minuta që mbeteshin, duke vulosur gjithsesi një fitore 3-2 të Mançester Sitit.
Edhe Arsenali vuajti në shtëpi përballë Sauthmepton, pasi skuadra që lufton për mbijetesën kaloi e para në avantazh në fillimin e pjesës së dytë me Arçer. Havertz, Martineli dhe Saka ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës në minutat e mbetura, duke siguruar fitoren 3-1 që mban ”topçinjtë” në shina në luftën për kreun./Panorama sport