Një specie e rrallë, e quajtur fishkëllyesi i murrmë (Phylloscopus fuscatus), u zbulua ditët e fundit në lagunën e Orikumit.
Lajmi u bë i ditur nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), që theksoi se “kjo është sërish një specie e re për Shqipërinë, e cila është kapur në kallamishtet e Orikumit”.
Fishkëllyesi siberian është një shpend i vogël me një pamje relativisht të thjeshtë. Puplimi i tij ka ngjyrë kafe në gri me disa nuanca jeshile të errët në pjesën e kurrizit. Puplat e zonës barkore dhe gushës janë në ngjyrë të zbehtë dhe lehtësisht kafe nga anët.
Krahasuar me fishkëllyesin e vogël, fishkëllyesi siberian ka ngjyra më të zbehta dhe i mungojnë nuancat e së verdhës dhe jeshiles, duke i dhënë atij një pamje “të ftohtë”.
Përhapja e fishkëllyesit siberian gjatë sezonit të folezimit përfshin Siberinë Veriore dhe Qendrore, ndërsa gjatë sezonit të dimrit, shtegton në Azinë Jugore, përfshirë këtu Indinë, Nepalin, Bangladeshin dhe Birmaninë, si dhe në pjesë të Gadishullit Arabik. Fishkëllyesi siberian është gjithashtu edhe vizitor i Evropës, ku vitet e fundit vrojtimet e tij janë bërë edhe më të shpeshta.
Ashtu si edhe cërla kokëhirtë, e cila u kap në Orikum disa ditë më parë, fishkëllyesi siberian mund të ketë përshkuar një distancë prej afërsisht 3300 deri në 8300 kilometrash.
“Vrojtime të tilla theksojnë rëndësinë që kanë habitatet, si kallamishtet e Orikumit, për shpendët. Ato u sigurojnë specieve shtegtare strehim dhe ushqim, duke mbështetur në këtë mënyrë popullata të tëra shpendësh nga vende të largëta folezimi. Unazimi i shpendëve në këto habitate na mundëson te regjistrojmë specie që, në të kundërt, mund të mos vrojtoheshin nga askush. Gjithashtu përmes unazimit, ne marrim të dhëna të rëndësishme mbi rrugët dhe ciklet e shtegtimit, dinamikën e popullatave dhe shëndetin e këtyre ekosistemeve”, theksoi AOS në një postim në rrjetet sociale.
Stacioni Ornitologjik i Orikumit, i cili drejtohet prej ornitologëve shqiptarë dhe hungarezë që prej 2019 në kuadër të një projekti afatgjatë monitorimi, ka regjistruar tashmë 4 lloje të reja për Shqipërinë./atsh