MYNIH, 31 maj 2025 – “Allianz Arena” është gati për natën më të madhe të sezonit: Finalja e Champions League 2024/25 luhet sonte në orën 21:00 mes PSG-së dhe Interit. Një përballje historike, pasi dy skuadrat takohen për herë të parë në një ndeshje zyrtare, me trofeun më të lakmuar të futbollit evropian në lojë.

Rruga drejt finales dhe synimet

PSG vjen në këtë finale pas një rruge të vështirë, ku eliminoi tre klube angleze – Liverpool, Aston Villa dhe Arsenalin – ndërsa për Interin rruga përfshiu suksese ndaj Feyenoord, Bayern Munich dhe një gjysmëfinale spektakolare ndaj Barcelonës.

Francezët kërkojnë trofeun e parë europian në histori, ndërsa Interi synon titullin e katërt në këtë kompeticion dhe të shpëtojë sezonin pas mungesës së trofeve në Itali.

Dy trajnerë, dy histori

Luis Enrique kërkon të mbajë rekordin perfekt në finalet një-luajtje (10/10 fitore), ndërsa Simone Inzaghi kërkon të shlyejë humbjen e vitit 2023 në finalen kundër Manchester Cityt. Trajneri i PSG-së mund të fitojë një “tripletë” të dytë në karrierë, pas asaj me Barcelonën në 2015.

Trazira, masa sigurie dhe atmosferë festive

Mijëra tifozë kanë mbërritur në Mynih, përfshirë rreth 40 mijë tifozë të Interit. Atmosfera u tensionua pranë stacionit ‘Universitat’ ku tifozë të dy kampeve u përleshën duke hedhur sende ndaj njëri-tjetrit. Policia ndërhyri dhe ndërpreu për 26 minuta linjën e metrosë U6 që çon në stadium. Masa të rrepta sigurie janë vendosur në qytet, me mbi 2 mijë efektivë në terren.

Fakte dhe formacione

PSG vjen në këtë ndeshje me vetëm një mungesë (Kimpembe), ndërsa Interi pritet të ketë në dispozicion Pavard dhe Zielinskin, me vetëm Carbonin jashtë. Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani shihet si opsion për goditjet e penalltive në rast barazimi pas 120 minutash.

Gjithashtu, Interi do të luajë me shirit të zi në krah në nderim të ish-presidentit Ernesto Pellegrini, i ndarë nga jeta sot.

Formacionet e mundshme:

PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Doue, Dembélé, Kvaratskhelia
Inter: Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Çalhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro, Thuram


Për më shumë nga Mynihu dhe zhvillimet LIVE rreth finales PSG – Inter, ndiqni AIA.AL.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu