
Ka vijuar edhe këtë të mërkurë procesi i rinumerimit të votave në pallatin e sportit “Farie Hoti”, ku radhën e ka qarku i Tiranës, nga i cili do të shqyrtohen 1,282 kuti votimi.
Rinumerimi për këto kuti do të jetë si për subjektet zgjedhore, ashtu edhe për kandidatët në qarkun e Tiranës.
Kandidati i PD-së Ilir Alimehmeti po ndjek nga afër procesin e rinumerimit të votave në ndërsa ai nuk rezultoi fitues nga numërimi fillestar megjithatë nga rinumerimi pretendon të marrë mandatin.
Po ashtu duke ndjekur të njetën procedurë është dhe kandidati fitues i Partisë Mundësia Erald Kapri.
Në dispozicion janë vendosur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore, përfshirë 48 numërues dhe 15 zëvendësues.
Procesi është parashikuar të kushtojë 21 milionë lekë të rinj dhe nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.
PS, PD, Mundësia dhe Shqipëria Bëhet do të kenë vëzhgues për të monitoruar rinumerimin, ndërkohë që Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit nuk u lejua nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, me argumentin se nuk është palë interesi në këtë proces.
Megjithatë, Qori iu drejtua KAS dhe kërkon të jetë prezent gjatë procesit të rinumerimit në pallatin e sportit “Farie Hoti” në Tiranë.