
Me thirrjen tradicionale “extra omnes” dhe mbylljen e derës së Kapelës Sistine, ka nisur zyrtarisht konklava për të zgjedhur Papën e ri, pas dorëheqjes së Papa Françeskut. 133 kardinalë me të drejtë vote janë mbledhur në fshehtësi për të lutur, reflektuar dhe votuar, derisa të zgjidhet pasardhësi i 267-të në krye të Kishës Katolike.
Në ditën e parë, kardinalët do të votojnë vetëm një herë. Nëse nuk arrihet shumica e dy të tretave – 89 vota – ata do të kthehen të nesërmen për të vazhduar me dy votime paradite dhe dy pasdite, derisa të shpallet Papa i ri. Pas çdo raundi votimi, fletët digjen në një sobë të posaçme: tym i zi do të thotë se nuk ka ende një fitues, ndërsa tymi i bardhë sinjalizon zgjedhjen e Papës së ri. Tymi pritet të dalë rreth orës 19:00.
View this post on Instagram
Ndër emrat që përfliten si kardinalë me potencial për t’u zgjedhur – janë Pietro Parolin, i cili do të drejtojë procesin, Luis Tagle i njohur si “Françesku Aziatik”, Fridolin Ambongo Besungu nga Kongo dhe Pierbattista Pizzaballa, që mund të bëhet Papa i parë italian pas dekadash.
Atmosfera në Sheshin e Shën Pjetrit është festive dhe plot emocione, me besimtarë dhe turistë që ndjekin çdo zhvillim përmes ekraneve gjigante. Ndërkohë, një pulëbardhë ka tërhequr vëmendjen e mediave duke zënë vend mbi çatinë e Kapelës Sistine, ndërsa miliona sy presin sinjalin e tymit nga oxhaku i famshëm.
“Po lutemi për një Papë që do të na bashkojë dhe do të çojë përpara misionin e Kishës,” tha një besimtare nga Filipinet, duke shprehur shpresën për një lider të ngjashëm me Papa Françeskun.
Konklava pritet të zgjasë më pak se konklavat historike më të gjata, por gjithçka mbetet e hapur deri në momentin kur tymi i bardhë do të ngrihet mbi Vatikan.