
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me protestën e sotme për mbylljen e News24, që është rrethuar nga policia prej 3 ditësh, duke u shprehur se fikja e sinjalit të një televizioni kombëtar është hap drejt autokracisë.
Tabaku u shpreh se protesta e sotme para News24 është dëshmi se shqiptarët nuk e pranojnë të heshtin.
Ajo thekson se mbyllja e mediave nuk është thjesht çështje lajmesh, por mbyllja e gojës së një kombi të tërë.
Postimi i plotë:
Shqipëria sot ndodhet përpara një udhëkryqi historik: demokraci apo autokraci.
Prej ditësh, qeveria ka mbajtur të rrethuar godinën e News24, duke përdorur një alibi qesharake për të fshehur një akt të rëndë: goditjen e medias së lirë.
Në një vend ku çdo raport ndërkombëtar nënvizon censurën dhe autocensurën, ku pushteti kontrollon median me të gjitha mënyrat – mbyllja e sinjalit të një televizioni kombëtar është një hap i hapur drejt autokracisë.
“Liria e shtypit është oksigjeni i demokracisë.” – Pa të, çdo komb mbytet.
Protesta e sotme para News24 është dëshmi se shqiptarët nuk e pranojnë të heshtin. Sepse mbyllja e mediave nuk është thjesht çështje lajmesh – është mbyllja e gojës së një kombi të tërë.
Sistemi i ndërtuar nga kjo qeveri e ka një ëndërr: një Shqipëri ku ligjet bëhen me porosi dhe ku autokracia sundon mbi shumicën.
Detyra jonë është të mbrojmë demokracinë – jo vetëm sepse rruga jonë është BE, por sepse vetëm në demokraci Shqipëria mund të ecë përpara, të zhvillohet dhe të garantojë lirinë e çdo qytetari./Panorama