
3 djem të të 20-tave të tyre humbën jetën në mënyrë tragjike në një aksident rrugor pak pas orës 3 të mëngjesit në Tepelenë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”, sipas policisë, në orën 3:18 minuta pranë një kthese të rrugës.
Dy makinat, njëra “Mercedes Benz”, e drejtuar nga 25-vjeçari Martin Dulaj, u përplas me mjetin tjetër tip “Volkswagen” që drejtohej nga 24-vjeçari Klejdi Myftari, një instrumentist.

Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar vdekjen e dy të rinjve që ishin në drejtimin e makinave dhe 27-vjeçarit Anxhelo Ruçi, që ishte pasagjer. 27-vjeçari ishte djali i shefit të policisë, Rami Ruçi, si dhe nip i ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.
Një vajzë 19-vjeçare, e identifikuar si Arsida Demiri nga Delvina, u plagos dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtim të specializuar.
Policia është duke hetuar mbi shkaqet e aksidentit fatal dhe, paraprakisht, dyshohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të një prej makinave të përfshira në këtë ngjarje të rëndë. /tvklan.al







