Qyteti antik i Apolonisë u kthye këtë fundjavë në epiqendër të festës së grurit, një traditë e bashkisë së Fierit prej disa vitesh.

Në hapësirat e Apolonisë pranë fshatit Pojan, qindra qytetarë, por edhe turistë të huaj u bënë pjesë e kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.

Vajzat e reja të veshura me veshjet tradicionale dhe me kurora gruri në kokë i dhanë më shumë hijeshi kësaj feste. Tingujt e muzikës i shoqëruan të pranishmit teksa këndonin dhe kërcenin vallet popullore të zonës.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi i cili premtoi se tradita do të vijojë.

Fëmijët ishin pjesa më e gëzueshme e festës ndërsa prindërit ishin kujdesur t’i vishnin me veshje tradicionale popullore apo edhe me simbolet e ngjyrat e grurit. Aktivitetet për ta ishin të larmishme ndërsa nuk munguan fotot familjare për ta vendosur këtë ditë në albumin e kujtimeve.

Po aq e bukur dhe ndoshta me shumv nostalgji ishte festa e grurit për komunitetin fierak që jeton jashtë vendit. Të ardhur në vendlindje pvr pushime, shumë prej tyre u bashkuan me festimet.

Ky aktivitet unik solli në qendër të vëmendjes produktet e freskëta të zonës, traditat bujqësore dhe vlerat kulinare të trashëguara brez pas brezi.

Gjithashtu kjo festë promovon punën e fermerëve dhe pasurinë e produkteve vendase. Pjesë e festimeve ishin edhe panairet me produkte organike, aktivitetet kulturore dhe artistike, të cilat krijuan një atmosferë festive.

Festa e grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë.

Një banore nga Pojani shprehet se “për festën e grurit myzeqaret kanë krijuar prej vitesh, një nga recetat kulinare më autentike dhe më me shije: bibën në saç. Biba në saç shoqëron gjithë fushatën e korrjes dhe shirjes së grurit. Kjo recetë e trashëguar nga gjyshet dhe nënat tona gatuhet thuajse në çdo familje myzeqare që korr grurë”.

Një tjetër banor tha se “tashmë në zonën tonë kjo festë është kthyer në traditë dhe çdo vit festohet edhe më bukur. Festa sot në Apoloni i shërben jo vetëm promovimit të produkteve vendase, por edhe promovimit të turizmit”.

Një vend të veçantë në “Festën e grurit” zuri edhe parada e autokombajnave, mjeteve korrëse të grurit, me anë të të cilave fermerët e kësaj zone edhe duan të mbajnë gjallë traditën edhe të shtojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me grurë.

“Festa e grurit” është një nga festat më të mëdha që organizon bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor./atsh

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu