
Besimtarët myslimanë në Shqipëri kanë kremtuar këtë të diel (30 mars) Fitër Bajramin, pas një muaji të shenjtë agjërimi gjatë muajit të Ramazanit. Mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në faljen e namazit të Bajramit, e cila është mbajtur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Në fjalën e tij, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë uroi besimtarët, duke shprehur shpresën që Zoti të ketë pranuar agjërimin e tyre dhe t’i ndihmojë ata në përballimin e sfidave të jetës.
View this post on Instagram
Kreu i KMSH-së foli gjithashtu për rëndësinë e unitetit, mëshirës dhe drejtësisë, duke rikujtuar vlerat e familjes dhe bashkimit. Ai theksoi se Bajrami është një mundësi për të reflektuar dhe për të nxjerrë mësime nga periudha e Ramazanit, duke e lidhur këtë festë me angazhimin për një shoqëri më të drejtë dhe të bashkuar.
“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, tha kreu i KMSH
Në këtë atmosferë festive dhe reflektimi, Radio Televizioni Shqiptar uron besimtarët myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin!
/rtsh.al/