
Big Basta është shpallur fitues i edicionit të dytë të “Ferma VIP”, një reality show që këtë sezon jo vetëm rrëmbeu zemrat e publikut, por edhe ngriti ndjeshëm standardin e këtij lloj formati në Shqipëri. Në një përballje të fortë finale me Anduelin, këngëtari i njohur triumfoi duke fituar çmimin e madh prej 100 mijë eurosh, teksa emocionet kulmuan kur djali i tij, Liam, iu bashkua në skenë për të festuar.
Në një kohë kur debate boshe, strategji të sforcuara dhe ndërhyrje të panevojshme kanë lodhur publikun në formatet e tjera si Big Brother VIP, “Ferma VIP” erdhi si një frymë e re – më e ndershme, më e thjeshtë dhe mbi të gjitha, më njerëzore. Formati i konceptuar rreth punës, përballjes me natyrën dhe ndërveprimit real pa skenarë të stisur, arriti të afrojë publikun jo me thashethemet, por me autenticitetin e konkurrentëve.
Nën drejtimin e Luana Vjollcës, e cila për herë të dytë konfirmoi veten si një moderatore që e kupton dhe ndien ritmin e një formati të madh, “Ferma VIP” u shndërrua në alternativën që publiku kishte nevojë – pa filtra, pa propagandë, thjesht jetë reale në kushte të jashtëzakonshme.
Në fund, fitues nuk ishte vetëm Big Basta. Fitues ishte vetë “Ferma VIP”, që tregoi se reality show mund të jetë edhe argëtues.