Tiranë, 10 qershor 2025 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot ashpër mazhorancën për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, duke publikuar një video që sipas tij përbën “provën flagrante” të përdorimit të skemës së njohur si “Treni Bullgar”, një metodë klasike manipulimi zgjedhor e përdorur sipas tij edhe nga regjime autoritare si ai i Vladimir Putin apo Aleksandër Lukashenko.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi pamjen si “tronditëse” dhe “si të xhiruar në një film”, duke treguar me detaje mekanizmin përmes të cilit, sipas tij, është garantuar manipulimi i votës qytetare. Pamjet, që sipas tij janë filmuar në një qendër votimi e improvizuar në një kafene në një fshat të Elbasanit, tregojnë komisionerë të përfshirë në atë që Berisha e përshkroi si një “krim elektoral të organizuar me gjakftohtësi”.

“Ja ku e keni Trenin Bullgar. Fleta e votimit vuloset, fshihet nën banak dhe dërgohet jashtë për t’ia dhënë votuesit tjetër, ndërsa ky voton atë të mbushur. Kjo video nuk lë më asnjë dyshim për manipulimin elektoral,” deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo metodë e “zëvendësimit të fletëve të votimit” ishte pjesë e një skeme të mirëorganizuar për kontrollin e rezultatit zgjedhor.

Ai akuzoi drejtpërdrejt edhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, si “bashkëautor në krimin elektoral”, krahas kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, mosveprimi i SPAK ndaj dosjeve të mëparshme zgjedhore ka inkurajuar përsëritjen e manipulimeve.

“Altin Dumani është bashkëautor në farsën elektorale të 11 majit. Nëse dosjet 189 dhe 384 do ishin ndjekur me drejtësi, askush nuk do guxonte më të cenonte votën e lirë,” tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu