
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë në Vlorë, ku një fëmijë 4-vjeçar ka humbur jetën pas shfaqjes së disa simptomave të forta shëndetësore.
Sipas familjarëve, dyshohet se shqetësimet tek i mituri nisën pasi kishte konsumuar mjaltë. Fillimisht fëmija pati të vjella të shumta, të cilat u mendua se ishin qetësuar, por gjendja e tij u përkeqësua sërish në ditën kur ndërroi jetë.
I mituri u transportua me urgjencë drejt qendrës shëndetësore në Dukat, por mbërriti pa shenja jete, fakt i konfirmuar edhe nga mjekët. Më pas ai u dërgua në Spitalin e Vlorës, në repartin e pediatrisë, ku nuk ishte më e mundur ndërhyrja për ta shpëtuar.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore janë në pritje të rezultateve të analizave të biopsisë, të cilat pritet të hedhin dritë mbi shkakun e vdekjes së vogëlushit dhe të sqarojnë nëse ekziston një lidhje mes simptomave dhe ushqimit të konsumuar.
Rasti ka tronditur familjen dhe komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.






