Familja e Evyatar David, një prej pengjeve izraelite që mbahet nga Hamasi në Gaza, ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje të re nga grupi militant, duke e akuzuar Hamasin për “ushqim të qëllimshëm me mungesë” në kuadër të një fushate propagandistike.

Në pamjet e publikuara të premten, 24-vjeçari shfaqet tepër i dobësuar në një tunel të ngushtë prej betoni dhe thotë se nuk ka ngrënë prej ditësh, duke theksuar se mezi ka pasur ujë për të pirë. Në video, ai shfaqet duke gërmuar atë që ai e përshkruan si “varrin e tij”.

David është rrëmbyer më 7 tetor 2023 gjatë një festivali muzikor në jug të Izraelit, kur Hamasi kreu sulmin e paprecedent ndaj Izraelit, duke marrë peng 251 persona. Sipas autoriteteve izraelite, 49 pengje ende mbahen në Gaza, mes tyre 27 që dyshohet se kanë ndërruar jetë.

Në deklaratën e tyre të dhënë të shtunën, familjarët e tij thanë:

“Detyrohemi të shohim djalin dhe vëllain tonë të dashur, Evyatar David, të uritur me qëllim dhe në mënyrë cinike në tunelet e Hamasit në Gaza – një skelet i gjallë, i varrosur për së gjalli.”

Familja i bëri thirrje qeverisë izraelite dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë çdo përpjekje për ta shpëtuar Evyatarin.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka komunikuar të shtunën me familjet e Evyatar David dhe një tjetër pengu, Rom Braslavski, ndërkohë që i dërguari amerikan Steve Witkoff është takuar me familje të tjera pengjesh. Në mbrëmje, mijëra qytetarë dolën në protestë në Tel Aviv për të kërkuar lirimin e tyre.

Gaza drejt urisë masive, akuzat mes palëve vijojnë

Ndërkohë që debati për krizën humanitare në Gaza thellohet, Hamasi përmes Ministrisë së tij të Shëndetësisë njoftoi të shtunën se shtatë persona të tjerë, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën nga kequshqyerja, duke e çuar totalin në 169 viktima, mes tyre 93 fëmijë.

Ndërkohë, Izraeli këmbëngul se nuk po kufizon ndihmat humanitare dhe se ka rritur përpjekjet për të përmirësuar shpërndarjen e ushqimeve. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se në orët e fundit janë realizuar 90 hedhje ajrore me paketa ndihmash në jug dhe veri të Gazës, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Egjiptin, Francën dhe Gjermaninë.

Por, ndërkohë që Izraeli thotë se ka shtuar përpjekjet për ndihma, grupet humanitare dhe Kombet e Bashkuara kundërshtojnë këto pretendime, duke paralajmëruar për një uri masive dhe kolaps të sistemit shëndetësor në Gazë.

Në të njëjtën ditë, autoritetet shëndetësore të drejtuara nga Hamasi njoftuan se 83 persona janë vrarë dhe 1,079 janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit nga ofensiva izraelite. Spitali Al-Awda në Nuseirat konfirmoi për BBC se ka pranuar trupat e tre civilëve të vrarë pranë një pike shpërndarjeje ndihmash në Salah al-Din, në jug të Wadi Gaza.

IDF tha se trupat e saj qëlluan të shtëna paralajmëruese disa qindra metra larg vendit dhe jo gjatë orarit të funksionimit të pikës, pasi turma nuk u përgjigj thirrjeve të tyre. “Nuk kemi dijeni për viktima si rezultat i këtyre të shtënave”, thuhet në deklaratën e IDF, duke shtuar se ngjarja është në verifikim.

Pavarësisht përpjekjeve për ndihma, bllokada e plotë e Gazës që nisi në mars është zbutur pjesërisht vetëm pas 11 javësh, por mungesat e rënda të ushqimit, ilaçeve dhe karburantit vijojnë.

Që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor 2023, autoritetet e Hamasit thonë se më shumë se 60,000 palestinezë janë vrarë në Gaza.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu