
Ish-bashkëpunëtorja e afërt e Berishës akuzon ish-kryeministrin për korrupsion dhe hipokrizi
Ish-bashkëpunëtorja e Sali Berishës, Evi Kokalari, ka reaguar ashpër ndaj ish-kryeministrit pas publikimeve të fundit që zbulojnë se Partia Demokratike ka paguar mbi 1.6 milionë dollarë firmës së konsulencës Advancing Strategies, të drejtuar nga Chris LaCivita, dhe bashkëpunëtorëve të tij Paul Manafort dhe Tony Fabrizio.
Në postimin e saj, Kokalari thekson se shumat e paguara nga opozita shqiptare janë marramendëse edhe për standardet e fushatave amerikane:
“Sali Berisha $1.6 milionë për LaCivita & Manafort + $6 milionë për ish-shefin e stafit të Marco Rubio = $7.6 milionë!!
Dhe ne duhet të besojmë që ti nuk je i korruptuar?”
“Ky lloj leku është shumë edhe për fushatat amerikane”
Kokalari sjell në vëmendje se vetë Chris LaCivita, një figurë kyçe në lëvizjen MAGA të Donald Trump-it, ka drejtuar një komitet politik (PAC) që mblodhi vetëm 2 milionë dollarë për të kundërshtuar një kongresman republikan në Kentaki, Thomas Massie.
> “Këto fonde u ngritën sepse Trump mori në telefon donatorët e tij, miqtë miliarderë. Por ti, një ‘mjek i thjeshtë i regjimit komunist’, që prej 34 vitesh mban peng opozitën, paguan 7.6 milionë dollarë dhe s’të dridhet dora,” – shkruan ajo me ironi.
Akuzat për pasuri të fshehura dhe ironia ndaj “thjeshtësisë” së Berishës
Në të njëjtin reagim, Evi Kokalari ironizon deklaratat publike të Berishës për jetën e tij modeste dhe për pasurinë e deklaruar:
“Ti thua se ke kaluar nga një apartament i vogël në një me 50 m² më shumë, dhe kaq është pasuria jote. Por harron të thuash se në të njëjtën shkallë pallati familja jote ka edhe katër apartamente të tjera.”
Vetëm i korruptuar nuk je” – përplasja me SPAK dhe paralajmërimi i fortë
Kokalari shprehet me ironi për përkrahësit e Berishës që protestonin për “padrejtësinë” e arrestit të tij shtëpiak nga SPAK, duke nënvizuar se:
“Vetëm i korruptuar ti nuk je! Dhe ke pafytyrësinë t’i quash SPAK-un organizatë kriminale? Ti tallesh me këtë popull.”
Në fund, ajo paralajmëron se Berisha, Meta dhe Rama do të përballen me drejtësinë:
> “Ti nuk kupton që dhe ti, dhe Meta, dhe Rama, ditët do t’i mbyllni në burg. MAKE NO MISTAKE ABOUT IT!”
Kush është Evi Kokalari
Evi Kokalari është një aktiviste shqiptaro-amerikane dhe ish-pjesë e fushatës së Sali Berishës për rikthimin në krye të PD-së në vitin 2021. Ajo ka qenë ndër mbështetëset kryesore të linjës pro-Trump në diasporën shqiptare, por vitet e fundit është shndërruar në një nga kritiket më të ashpra të Berishës dhe Metës, duke e akuzuar për kapje të opozitës dhe bashkëpunime të errëta politike.
            
	


