
Kërkesat për azil nga personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në vendet e Bashkimit Evropian u ulën me 13% në vitin 2024. Sipas të dhënave nga Zyra Evropiane e Statistikave për Migracionin kjo është hera e parë që regjistrohet një rënie që nga viti 2020.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, vitin e kaluar u regjistruan 912,000 kërkesa për azil për herë të parë nga shtetas të vendeve të treta në 27 shtetet anëtare, krahasuar me më shumë se një milion në 2023. Shumica e kërkesave kanë të bëjnë me qytetarët sirianë, si çdo vit që nga viti 2013, duke përfaqësuar 16% të aplikimeve. Grupe të tjera të mëdha të azilkërkuesve për herë të parë janë njerëz nga Venezuela dhe Afganistani, me 8% secili.
Të dhënat e Eurostat treguan gjithashtu një ulje të numrit të hyrjeve të parregullta të zbuluara në BE. Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex, raportoi se në vitin 2024 numri i emigrantëve që hynë në Bashkimin Evropian përmes rrugëve të parregullta ra me një total prej 38%, duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2021.
Të dhënat sugjerojnë se përpjekjet e BE-së për rregullimin e hyrjes së emigrantëve dhe refugjatëve funksionojnë deri diku. Sipas Catherine ëoolard, drejtoreshë e Këshillit Evropian për Refugjatët dhe Mërgimtarët, aplikimet nga Venezuela tejkaluan ato nga Afganistani, duke reflektuar “vështirësitë e mëdha” me të cilat përballen afganët për t’u larguar nga vendi i tyre.
Eurostat raporton se pothuajse 148,000 aplikime për herë të parë erdhën nga Siria në vitin 2024, një rënie prej 19.2% nga një vit më parë. Ai gjithashtu thotë se numri i aplikimeve nga Siria mund të bjerë më tej në të ardhmen nëse tranzicioni politik atje, pas rënies së presidentit Bashar al-Assad, sjell stabilitet në vend, megjithëse është shumë herët për të parë një efekt në shifrat e vitit 2024.
Më shumë se tre të katërtat e gjithsej kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare (azil) në vendet e BE-së janë dorëzuar në Gjermani, Spanjë, Itali, Francë dhe Greqi. Shpërndarja e pabarabartë në të gjithë BE-në, me 82% të aplikimeve të para të bëra në vetëm pesë vende, mbetet një sfidë, pasi disa vende vazhdojnë të bëjnë shumë pak pavarësisht se bëjnë shumë zhurmë për këtë çështje.