
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka prezantuar sot Drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj. Ministrja deklaroi se Posta Shqiptare është një prej kompanive molekulare shtetërore, dhe sipas saj, fokusi tanimë duhet të orientohet drejt optimizimit të procesit të shërbimeve postare dhe atyre financiare.
“Vendimi i bordit dje u bë i ditur. Etjen Xhafaj është bashkëpunëtor i hershem i imi. Kemi punuar bashkë në disa pozicione. Etjeni ka një karrierë të gjatë. Në 2021 u largua nga ekzekutivi për t’iu përkushtuar politikës. Mbajti një mandat të qarkut të Tiranës.
Sot, drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar në disa fushatë lidhura ngushtësisht me objektin e postës shqiptare. Besoj do optimizohet procesi i shërbimeve postare dhe financiare. Është shumë e rëndësishme që Posta të performojë duke optimizuar shërbimet financiare”, tha Balluku.
Ministrja shtoi se Posta Shqiptare ka gjithë mundësinë për t’u bërë pararojë e zhvillimeve teknologjike e digjitale.
“Posta shqiptare, një nga shoqëritë më të rëndësishme që Ministria e Ekonomisë ka në varësinë e saj. Mbetet një nga kompanitë molekulare shtetërore. Posta është e shpërndarë në çdo anë. 533 njësi zyre operojnë dhe ofrohen me mijëra shërbime gjatë ditës, duke e bërë këtë një nga ndërmarrjet më vitale që i shërben për shërbimet postare dhe financiare.
Vitet e fundit janë bërë disa inovacione që kanë ndryshuar dhe kanë reformuar mënyrën si ofrohet shërbimi në postën shqiptare, megjithatë ne presim shumë më shumë.
Qeveria shqiptare mban flamurin e digjitalizimit. Posta i ka të gjithë mundësitë për shkak të shpërndarjes dhe shtrirjes së sja, për shkak të komponentëve financiare që ofron, ka mundësitë për tu bërë pararojë e zhvillimeve teknologjike e digjitale në shërbimet publike që ofron administrata shqiptare”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/







