Kafeja është një nga pijet më të konsumuar në botë, por sipas ekspertëve të ushqimit, mënyra se si e pini mund të bëjë një ndryshim të madh për shëndetin.

Nutricionistja dhe farmacistja Laure Hyvernat shpjegon se zgjedhja më e mirë për organizmin është kafeja e zezë espresso ose e shkurtër, pa sheqer dhe pa qumësht.

Sipas saj, këto lloje kafeje janë të pasura me polifenole, përbërës antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ dhe mund të ulin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe disa formave të kancerit.

Espresso apo ristretto?

Dallimi mes dy llojeve qëndron kryesisht tek sasia e ujit dhe koha e ekstraktimit.

  • Kafja e shkurtër përgatitet me më pak ujë dhe nxirret më shpejt, duke krijuar një kafe më të përqendruar dhe aromatike.
  • Espresso ka pak më shumë ujë dhe një shije më të balancuar.

Të dyja konsiderohen opsionet më të shëndetshme, sidomos për personat me stomak të ndjeshëm.

Po cappuccino dhe kafe me qumësht?

Sipas nutricionistes, cappuccino, latte apo macchiato nuk janë domosdoshmërisht të dëmshme, por duhet të konsumohen jo çdo ditë.

Gjithashtu rëndësi ka lloji i qumështit dhe gjendja shëndetësore e personit. Për shembull, personat që vuajnë nga rezistenca ndaj insulinës, endometrioza apo problemet hormonale duhet të kenë më shumë kujdes me kombinimin e kafeinës dhe qumështit.

Cili është kafja më e keqe?

Nutricionistja paralajmëron se kafeja e tretshme (instant) është ndër opsionet më pak të shëndetshme.

Ajo përpunohet në temperatura shumë të larta dhe mund të përmbajë më shumë akrilamid, një substancë kimike potencialisht kancerogjene që formohet gjatë përpunimit të ushqimeve.

Edhe kafeja pa kafeinë mund të jetë problematike nëse prodhohet me metoda kimike, ndërsa versionet e përpunuara vetëm me ujë konsiderohen më të sigurta.

Kujdes me “kafetë e ëmbla”

Ekspertja paralajmëron edhe për pijet e njohura në rrjetet e kafeneve, si pumpkin spice latte, të cilat përmbajnë shumë sheqer.

Sipas saj, këto pije mund të shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak, e cila më pas pasohet nga rënie e energjisë gjatë ditës.

Në çfarë filxhani duhet pirë kafeja?

Edhe ena ku pihet kafeja ka rëndësi. Nutricionistja rekomandon:

  • filxhan porcelani
  • gotë qelqi

Këto materiale janë kimikisht neutrale dhe nuk ndikojnë në shijen e pijes. Ndërsa gotat plastike ose kartoni të “take-away” mund të lëshojnë substanca të padëshiruara kur vijnë në kontakt me pije shumë të nxehta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu