
SOFJE – Një seri vdekjesh misterioze në malet perëndimore të Bullgarisë ka tronditur vendin dhe ka ndezur reagime të forta në opinionin publik, ku shumë qytetarë kundërshtojnë kategorikisht versionin paraprak të autoriteteve për vetëvrasje apo vrasje-vetëvrasje.
Sipas raportimit të Reuters, gjashtë persona u gjetën të pajetë gjatë javës së fundit në rrethana të paqarta, ndërsa prokurorët po hetojnë disa pista. Pesë prej viktimave ishin pjesë e një organizate joqeveritare për mbrojtjen e natyrës dhe jetonin në një kasolle malore pranë kufirit me Serbinë, e cila më pas u dogj.
Policia deklaroi se në vendngjarje u gjetën armë dhe gëzhoja, ndërsa ekspertiza paraprake sugjeron se të shtënat janë kryer nga distancë e afërt. Autoritetet thanë se një nga versionet kryesore të hetimit mbetet ai i vrasje-vetëvrasjes, por mungesa e qartësisë ka ushqyer teori konspirative në vend.
Zbardhen komentet që po “ziejnë” rrjetin
Në faqen zyrtare të Reuters, dhjetëra qytetarë bullgarë kanë reaguar ashpër, duke shprehur mosbesim ndaj institucioneve dhe mediave.
Një komentues shkruan:
“Policia po paguhet për të krijuar konfuzion. Ata që vdiqën kishin zbuluar aktivitete kriminale që përfshinin politikanë dhe njerëz me pushtet. U urdhërua një eliminim dhe pjesa tjetër është një operacion mbulimi nga qeveria, policia dhe media.”
Një tjetër qytetar nga Bullgaria pretendon:
“Në çdo vend ka mafie, por vetëm në Bullgari mafia zotëron shtetin. Të gjithë besojmë se ata u vranë sepse prekën interesat e një ministri.”
Ndërsa një koment tjetër kritikon raportimin mediatik:
“Kjo nuk është gazetari e mirë. Viktimat ishin dashamirës të natyrës, zhytës dhe edukatorë që ndodheshin në vendin e gabuar në kohën e gabuar.”

Po ashtu, disa përdorues kanë ngritur pikëpyetje mbi verifikimin e informacionit:
“A i pa dikush nga Reuters videot dhe i verifikoi këto pretendime para se t’i publikonte?”
Rasti që krahasohet me “Twin Peaks”
Drejtori i policisë kombëtare, Zahari Vaskov, e cilësoi ngjarjen “pa precedent” për vendin, ndërsa një prokuror e krahasoi misterin me serialin e viteve ’90, “Twin Peaks”, për shkak të rrethanave të pazakonta dhe rrëfimeve kontradiktore.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë viktimat duke u përshëndetur mes tyre ditën e ngjarjes, ndërsa tre persona që mbetën në kasolle dyshohet se i vunë zjarrin asaj më pas. Më vonë, policia i gjeti edhe ata të pajetë në një furgon kampingu.
Hetuesit zbuluan gjithashtu materiale të lidhura me budizmin tibetian në kasolle, ndërsa një i afërm i një prej viktimave foli për “paqëndrueshmëri të theksuar psikologjike” brenda grupit.
Mister që thellohet
Deri tani nuk ka një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjeve dhe asnjë nga anëtarët e organizatës nuk ka qenë i arritshëm për koment. Ndërkohë, reagimet e forta në rrjet tregojnë një nivel të lartë mosbesimi publik ndaj institucioneve – një faktor që mund ta bëjë edhe më të vështirë zbardhjen e plotë të rastit.






