
Ermal Meta, këngëtari i njohur shqiptar, fitues i Festivalit të Sanremos 2018 (kthehet me romanin e tij të dytë: Le camelie invernali (Kameliet dimërore).
Libri trajton temën e kanunit dhe hakmarrjes përmes historisë së dy familjeve shqiptare të lidhura nga zhdukja misterioze e një vajze dhe nga kodi i lashtë i gjakmarrjes, kanuni.
Ngjarjet nisin në vitin 1995, me dy djem të rinj, Samir dhe Uksan, miq të ngushtë, të cilët, pas një vrasjeje brenda familjes, detyrohen të qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, nën frikën e zakonit që i ndan. Historia vazhdon në 2025, kur një gazetare me origjinë shqiptare kthehet në Shqipëri për të intervistuar një burrë që ka jetuar i izoluar për 30 vjet. Çfarë e mban atë të izoluar – kanuni apo pendesa? Dhe çfarë lidhje ka kjo me dy djemtë?
Përdorimi i inteligjencës artificiale në muzikë, a ju frikëson?
Ermal Meta: Po, më tremb. Unë nuk e kam përdorur kurrë. Shumë muzikantë e përdorin për gjëra të ndryshme, sidomos për zëra e tinguj. Por IA bazohet në algoritme e llogaritje, nuk mund të parashikojë gabimin. Shpesh, nga një gabim në studio lindin gjëra të mrekullueshme. Muzika analoge na mëson këtë, atje, 1+1 nuk bën gjithmonë 2, sepse ka shumë variabla. Në botën dixhitale, 1+1 bën gjithmonë 2. Kjo sjell një sheshtim të përgjithshëm.
Kujtime nga Shqipëria komuniste
Ermal Meta kujton se ka jetuar në Shqipëri deri në moshën 13-vjeçare, kur u shpërngul në Itali në vitin 1994.
Ermal Meta: Më kujtohet dita kur vdiq diktatori Enver Hoxha, isha 4 vjeç. Të gjithë qanin. Shqipëria ishte një vend në lot, por në mënyrë tragjikomike. Duheshe të bëje foto pranë varrit të tij me grushtin lart – një lloj detyrimi për të gjithë. Diktatori, që uroj të pushojë në ferr, la plagë që duken ende.”
Shqipëria ishte e mbushur me bunkerë, rrugët nuk ishin kurrë të drejta sepse propaganda thoshte që duhej të pengonim uljen e avionëve armiq. Ndalohej të dëgjoje muzikë të huaj, por gjatë javës së Sanremos edhe spiunët e lagjes – që kishte secila lagje – e shikonin Raiunon. Të gjithë i dinin këngët, por askush nuk guxonte t’i këndonte.”
Ermal Meta: Kur zbrita në Itali, gjëja e parë që më goditi ishte drita – kishte shumë drita natën. Nuk isha mësuar. Pastaj pashë njerëz që putheshin në rrugë – në Shqipëri, dashuria ishte tabu. Vura re edhe fëmijët mbipeshë – në Shqipëri, të gjithë ishim të dobët, sepse hanim me tollon.”
Kur erdha, e kuptova që nuk e zotëroja mirë italishten, ndonëse e kuptoja nga televizioni. E mësova duke dëgjuar Antonello Venditti dhe duke ndjekur Maurizio Costanzo Show.”
Shkolla dhe përpjekja për të mësuar
Ermal Meta: Në Shqipëri, çdo ese që shkruaja ekspozohej në tabelën e shkollës si më e mira. Por në Itali, ndihesha sikur nuk dija ta shprehja veten. Bëra një gabim duke thënë abituazione në vend të abitudine. Një shoqe, Gloria, më korrigjoi. Më ‘dogji’ shumë. Që nga ajo ditë, fillova një studim të çmendur të gjuhës dhe gramatikës.
Ermal Meta: Kanuni lindi në fund të shek. XV dhe dikur rregullonte shumë aspekte të jetës. Me kalimin e kohës u bë një ligj për hakmarrjen: nëse një njeri vret një tjetër, familja e viktimës ka të drejtë të ‘lahet me gjak’ – të vrasë një mashkull nga familja e vrasësit. Ky mashkull duhet të jetë mbi 12 vjeç dhe vrasja nuk duhet të ndodhë brenda shtëpisë. Viktimat potenciale fshiheshin në shtëpi, duke vuajtur pasoja të mëdha, sidomos në një shoqëri patriarkale ku burrat ishin gjithçka, gratë asgjë.”
Sot në Shqipëri janë ende rreth 1200 familje të prekura nga gjakmarrja. Shpesh nuk dihet më as arsyeja e hakmarrjes – janë kaluar 70, 80, 90 vjet. Vetëm falja e ndalon zinxhirin – por është e rrallë.”
“Kameliet dimërore”, kuptimi i titullit
Ermal Meta: Kamelia është simbol i shpresës dhe rezistencës. Është një lule që lulëzon në dimër, kur çdo gjë tjetër fshihet. Edhe në periudha të vështira, jeta nuk ndalet. Ajo vazhdon.”
Ermal Meta rrëfen se është rritur me një nënë mbrojtëse dhe pa një figurë atësore pozitive:
Ermal Meta: Nuk dua të flas shumë për këtë, sepse më duket sikur shikoj shumë pas. Por, po, kam pasur një fëmijëri të vështirë, me një prind të dhunshëm.”
Ai ka tani një vajzë biologjike dhe ka adoptuar dy vajza të tjera:
Ermal Meta: Pas një koncerti në Shqipëri vizitova një shtëpi fëmijësh dhe që nga ajo ditë jeta jonë ndryshoi. Brenda pak kohe u bëmë pesë – një vajzë ime dhe dy të tjera që janë bërë pjesë e familjes sonë.
Rrënjët, pengesë apo pasuri?
Ermal Meta: Rrënjët janë një vend i sigurt. Ato na formësojnë. Unë kam rrënjë të dyfishta – një pjesë e imja ka mbetur në Shqipëri. Ndoshta për këtë shkruaj për Shqipërinë, për të gjetur vetveten./Tema