
TIRANË – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik të mbajtur në Tiranë, bëri thirrje për një qasje më kritike ndaj konflikteve ndërkombëtare dhe theksoi nevojën për një bashkëpunim më të gjerë në çështjet e sigurisë evropiane.
“Duhet të jemi më kritikë, armët duhet të heshtin dhe paqja të vendoset në Ukrainë”, tha Erdogan, duke përmendur takimet e tij me liderë si Trump, Putin, Zelensky, Macron dhe Meloni. Ai theksoi se pas vizitës së presidentit ukrainas në Ankara, është hapur një mundësi e re për bisedime teknike që mund të çojnë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.
Presidenti turk nuk kurseu kritikat ndaj asaj që e cilësoi si një katastrofë të pashembullt humanitare në Gaza, duke dënuar qëndrimin “agresiv dhe arrogant” të kryeministrit izraelit Netanyahu dhe mungesën e veprimit nga komuniteti ndërkombëtar. “T’i themi ndal kësaj. Më shumë se 2 milionë po vuajnë urinë dhe bota hesht”, tha ai, duke theksuar se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme për paqe.
Në pjesën tjetër të fjalës, Erdogan theksoi nevojën për një qasje të re në arkitekturën e sigurisë evropiane, duke bërë thirrje për përfshirjen e aleatëve jashtë BE-së në diskutimet për mbrojtjen dhe sigurinë. Ai kërkoi gjithashtu rishikimin e praktikave kufizuese si zona Shengen që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Evropa duhet të veprojë e bashkuar, të ndërtojë një model të drejtë qeverisjeje globale dhe të mos lërë jashtë partnerët strategjikë. Përndryshe, përçahemi dhe dobësohemi”, theksoi Erdogan, duke përmendur rolin e Turqisë si qendër energjetike në rajon dhe rëndësinë e saj për stabilitetin e kontinentit.