Ndonëse ishte parashikuar se sot më 1 gusht do të bëhej hapja e qendrave të pritjes për emigrantet në Shqipëri, mediat italiane raportojnë se afati është shtyrë sërish.
Sipas tgcom24, do të duhen ende disa javë derisa qendrat të jenë gati tha pak ditë më parë nënsekretari Alfredo Mantovano, duke shpjeguar se vonesat janë për shkak të “ngadalësimeve” të punimeve.
Kjo është shtyrja e dytë për hapjen e këtyre qendrave, për të cilat është parashikuar një shpenzim prej 800 milionë euro në 5 vjet.
Më herët data e funksionimit të plotë të strukturave fillimisht ishte caktuar data 20 maj, më pas u shty për në 1 gusht dhe tani është shtyrë sërish.
Sipas raportimeve të Ansa-s , qendra e parë e pritjes e vendosur në portin e Shëngjinit duket se është gati, por vonesat kanë të bëjnë kryesisht me vendndodhjen tjetër: ish-bazën e Forcave Ajrore Shqiptare në Gjadër.
Këtu po punohet për krijimin e tre strukturave: një qendër për ndalimin e azilkërkuesve me 880 vende, një qendër paraburgimi për riatdhesimet me 144 vende dhe një burg me 20 vende. Vonesat i atribuohen temperaturave të larta të verës, të cilat vështirësuan punën, ku u përfshinë edhe inxhinierët ushtarakë italianë./Panorama