Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në seancën plenare, në nder të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe anëtarëve të familjes së tij të vrarë nga forcat serbe 28 vjet më parë në Prekaz.

Heshtja solemne u mbajt me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik të PS për Diasporën, Taulant Balla, i cili i kishte drejtuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Në dokumentin zyrtar, Balla kërkoi që në përputhje me nenin 7 pika 5 të Rregullores së Kuvendit të mbahet një moment nderimi për figurën simbol të rezistencës shqiptare në Kosovë.
Në kërkesë thuhet:
“Bazuar në nenin 7 pika 5 të Rregullores së Kuvendit, paraqes kërkesën për të mbajtur heshtje solemne në seancën plenare të datës 05.03.2026.
Sot përkujtojmë një nga momentet më të dhimbshme dhe më heroike të historisë së Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar: rënien heroike të Adem Jasharit dhe të anëtarëve të familjes së tij në Prekaz.
Sakrifica e tyre sublime për lirinë e Kosovës mbetet një simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë për atdheun. Ata u flijuan për idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar, duke hyrë përgjithmonë në historinë tonë si dëshmorë të pavdekshëm të kombit shqiptar.”
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e familjes Jashari në Prekaz. Në një përballje të pabarabartë, Adem Jashari dhe familja e tij zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u kthyer në simbol të pathyeshmërisë dhe vendosmërisë për çlirim.
Sakrifica e tyre tronditi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza që t’i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në një kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu