
Deputeti Klevis Balliu pranon hapur sfidën për të qenë kandidati i PD-së dhe opozitës përballë socialistes Ogerta Manastirliu.
Pas refuzimit të Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit për Bashkinë e Tiranës, deputeti demokrat vetëofrohet si kandidat.
“Nuk kam marrë propozim konkret, por nëse e shohin të arsyeshme unë jam gati. Nuk ka të bëjë me Ogertën, nuk është me të përballja, por me sistemin. Përballja është me sistemin”, tha Balliu për “News 24”.
Kurse i pyetur për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave, ai e miratoi, duke shtuar se duhet të ishte bërë më herët.
“Mirë bëri që e shkarkoi Erion Veliajn qeveria. Ne bëmë 46 protesta kundër tij, madje u shkatërroi shtëpitë qytetarëve në Unazë apo te 5 Maji dhe ngazëllehej.
Ne e propozuam për shkarkim si opozitë, pse nuk e firmoste Rama? Sepse ishin në marrëveshje me tyre. Rama priste të jepte dorëheqjen, Veliaj nuk e dha dorëheqjen dhe ky e bëri nëpërmjet Këshillit Bashkiak”, tha Balliu.
Balliu nënvizoi se mazhoranca ka zgjedhur të përfaqësohet në Parlament me njerëz të krimit dhe korrupsionit, kurse fushatën në Tiranë ia kishte lënë në dorë një ministreje hajdute si Belinda Balluku, e cila sipas tij, e vetmja meritë që ka është të vjedhë dhe abuzojë..Shekulli