
Në shenjë respekti, për veprën politike të Fatos Nanos, si kryetar i Partisë Socialiste, tre herë kryeministër i Shqipërisë dhe një prej njerëzve që shënjoi një dekadë e gjysmë të Shqipërisë postkomuniste, emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e kësaj të marte ritransmeton një prej intervistave më të plota të tij.
Në intervistën e shkurtit të vitit 2010 i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, i ndjeri Fatos Nano foli për momentin e takimit të parë me Sali Berishën. Ishin në një përballje në një redaksinë e “Zërit të Popullit”, jo si politikanë, por si intelektualë që flisnin dhe kërkonin ndryshimin, në një kohë krizë të thellë për shoqërinë shqiptare.
Fragment i shkëputur nga intervista e dhënë për emisionin “Opinion” në shkurt të vitit 2010:
Blendi Fevziu: A keni pasur njohje personale me Sali Berishën, kur jeni njohur me të?
Fatos Nano: Unë me Sali Berishën jemi takuar për herë të parë me njëri-tjetrin, i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit, natyrisht e njihja nga faqet e shtypit. Nëna ime vuante nga zemra që në atë kohë, por nuk ishte kuruar tek doktor Berisha. E njihja nga mjedise shoqërore, intelektualësh e të tjera, që kishin kontakte me të. Në redaksinë e “Zërit të Popullit”, kam përshtypjen në periudhën midis majit dhe shtatorit të vitit 1990, ku redaktori Përparim Xhixha organizoi një bisedë me disa intelektualë të spikatur të disa fushave të ndryshme. Bisedën në studio e ka drejtuar Përparim Xhixha dhe në tavolinë ishim me bisedë të incizuar dhe të zbardhur, për të botuar të nesërmen ose të pasnesërmen. Ishte Berisha si intelektual nga mjekësia, por i shkencave humanitare, isha unë si përfaqësues i ekonomistëve, ishim katër veta… Secili nga ne parashtroi ide për ndryshime dhe reforma. Mbajti qëndrim, për profesionin dhe vokacionin e fushës dhe eksperiencës ndaj krizës që po akumulohej në shoqëri dhe në ekonomi dhe në ushtrimin e iniciativave të lira ose, jo. Biseda në redaksi ka mbaruar nga dreka dhe nga ora 18:00-19:00 mund të vinim t’i shikonim. Për çudi korridoret qëlluam të dy bashkë, arritëm në një njëjtën kohë. U gjeta në një tavolinë me Berishën, ballë për ballë, ai korrigjonte të vetat unë të mijat.
Blendi Fevziu: Ju nuk e dinit që tre muaj më pas do të ishit tre nga njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë!
Fatos Nano: Nuk e dinim! Ose unë nuk e dija të paktën, s’mund të them nëse e dinte Berisha apo jo. Ambiciet e mia kanë qenë më pak të kristalizuara, se sa të Berishës në atë kohë. Besoj! Papritmas Berisha meqenëse e kishte vlerësuar mënyrën me të cilën unë kisha folur në bisedën në redaksi dhe nuk kishte pasur rast të bënte një bisedë më të zgjeruar nga sa ishte atje, gjeti diçka që ia kishte ndryshuar redaktori dhe më thotë ‘Fatos si të tingëllon kjo’, ‘Doktor çfarë ke dashur të thuash dhe çfarë të shqetëson’, nuk e mbaj mend kontekstin. Por, doktori ka qenë shumë obzesiv nga pikëpamja intelektuale për të ruajtur saktësinë e frazës që mendonte. Në një moment unë i them ‘e thënë pak më ndryshe në një gjuhë pak më të pranueshme gazetareske e njëjta ide është aty’, nuk e vazhdoi debatin më tutje. Të nesërmen doli siç e kam vlerësuar unë që mirë ishte. Nuk e di se si ka reaguar Berisha më tutje për këtë gjë, por më duket se ka thënë ‘aty pashë një intelektual të sofistikuar të komunizmit’.
Fatos Nano undërroi jetë në moshën 73-vjeçare. Ai ndërroi jetë në një spital privat, ku po kurohej prej disa javësh nga një sëmundje në rrugët e frymëmarrjes. Ish-kryeministri prehet në varrezat e Sharrës./Opinion







