
Pavarësisht raportimeve të shumta në media, 27-vjeçari Ajet Lleshi nga fshati Kishaj i Hasit ende nuk është gjetur, as i gjallë dhe as i pajetë. Ekipet e shpëtimit, të cilat vijojnë kërkimet intensive në malin e Pashtrikut, kanë përgënjeshtruar zërat se i riu është gjetur i ngrirë dhe pa shenja jete për AIA.AL.
Ajeti ishte nisur në mëngjesin e djeshëm për të prerë dru në pyll, por rreth orës 17:00 familjarët humbën kontaktet me të dhe njoftuan policinë. Në përpjekje për ta gjetur, babai dhe tre xhaxhallarët e tij dolën në mal, por u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Familja më pas humbi kontaktet edhe me të atin, rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Shërbimet e Policisë, Emergjencat Civile, dhe ekipi i kërkim-shpëtimit malor i Kosovës po kontrollojnë zonat ku mendohet se ka humbur i riu. dhe banorët e zonës kanë nisur kërkimet që në orët e para të mëngjesit. Deri tani, është gjetur vetëm babai i 27-vjeçarit, në gjendje të rënduar fizike e psikologjike, ndërsa kërkimet për Ajet Lleshin vijojnë pa ndërprerje.