
Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë ndërmarrje grumbulluese dhe shitëse me shumicë të fruta-perimeve, pasi ka konstatuar bashkërendim të çmimeve në dëm të fermerëve dhe shtrembërim të konkurrencës në treg.
Sipas njoftimit zyrtar, pas një hetimi të thelluar që zgjati gati dy vite dhe përfshiu disa qarqe të vendit, Komisioni i Konkurrencës konstatoi praktika të ndaluara që kishin diktuar çmimet e blerjes dhe kishin rënduar ndjeshëm pozitat negociuese të fermerëve.
Hetimi përfshiu tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Vendimi dhe kompanitë e gjobitura
Në mbledhjen e datës 26 nëntor 2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, duke konstatuar se ndërmarrjet:
Omer Fruit SHPK
Nedrete Arapi PF
Besim Thaqi PF
Morina Grup SHPK
Fruit-To-Zela SHPK
Roland-2012 SHPK
kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave sezonale, duke aplikuar mark-up shumë të lartë, deri në 115%, në dëm të fermerëve.
Kjo sjellje është cilësuar si marrëveshje e ndaluar, në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, dhe përbën shkelje të rëndë. Për këtë arsye, Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Si u dëmtuan fermerët
Hetimi tregoi se fermerët përballeshin me:
çmime të diktuara dhe të koordinuara,
mungesë reale negocimi,
varësi nga një numër i kufizuar blerësish,
presione për ulje çmimesh,
vonesa në pagesa.
Efekti i vendimit në treg
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se vendimi ka ndikim në të gjithë tregun kombëtar, duke:
forcuar pozitat negociuese të fermerëve,
krijuar kushte për çmime më të drejta dhe transparente,
nxitur konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve,
frenuar skemat e koordinuara që dëmtonin zinxhirin ushqimor.
Masa korrigjuese dhe monitorim
Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që:
të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë,
të jenë nën monitorim për një periudhë 1-vjeçare nga Autoriteti i Konkurrencës.
Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të balancuar për fermerët.






