
Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë dy shqiptarët mes shtatë viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi ditën e sotme, 27 janar, në Rumani, ku një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut u përplas me një kamion.
Sipas mediave greke, nga aksidenti i rëndë mbetën të plagosur rëndë edhe tre persona të tjerë, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Të gjithë udhëtarët kishin nënshtetësi greke dhe ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç. Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre të tjerë nga Selaniku.
Tifozët po udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në Ligën e Evropës.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit.






