
“U detyrova, po humbja gjyqin”, Elvis Shkëmbi pranon vrasjen e gjyqtarit Kalaja në sallën e Apelit
“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, ka dëshmuar autori Elvis Shkëmbi në Komisaritatin numër 1 pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Mësohet se Kalaja kishte në dorë një çështje prone ku i përfshirë ishte edhe Elvis Shkëmbi.
Ky i fundi i ka qëlluar me 3 plumba gjyqtarit Kalaja pasi ka dhënë vendimin.
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka dënuar vrasjen mafioze të gjyqtarit Astrit Kalaja.
“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore”, shkruan Rama.
Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj reagoi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur gjatë pasditës së sotme.
Kreu i Shtetit dënoi me forcë aktin duke e cilësuar si një goditje ndaj vetë themeleve të drejtësisë dhe shoqërisë.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e patolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale,” – tha Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë dhe solidaritetin me kolegët e tij.
“Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen,”- shtoi Presidenti.
REAGIMI I PLOTË
Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.
Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.
Berisha, nëpërmjet një statusi në Facebook, shprehet se ka ndodhur një akt i rëndë kriminal dhe se duhet një dënim maksimal për autorët.
Statusi:
Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.
Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.
Prezenca e OSBE në Shqipëri ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi i cili ndodhej palë në një proces gjyqësor.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike”, thuhet në reagimin e OSBE.
Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.
Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.
Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku u vra gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ndërsa ishte në krye të detyrës.
“Me dhimbje të thellë mësova lajmin tronditës për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, zotin Astrit Kalaja, në krye të detyrës. Ky akt i rëndë nuk është vetëm një tragjedi personale, por një sulm ndaj vetë drejtësisë dhe rendit që mban shoqërinë tonë të bashkuar,” – shprehet ministri Gogu.
Ai u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë komunitetit të drejtësisë, ndërsa kërkoi që autori të arrestohet dhe të përballet menjëherë me ligjin.
“Dënimi duhet të jetë i pashmangshëm. Asnjë shërbëtor i ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur në përmbushjen e misionit të tij,” theksoi ministri Gogu.
Edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
“Dënoj me forcë agresionin kriminal të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy persona të tjerë. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit Astrit Kalaja. U prehtë në paqe”, shkruan Balla në reagimin e tij.
Në vijim, ai thekson:
“Ngjarja e sotme kërkon me urgjencë ashpërsimin e politikës penale kundër armëmbajtjes pa leje. Gjithashtu duhet të merren masa për rritjen e sigurisë së brendshme të prokurorive dhe gjykatave.”