
Elon Musk ka njoftuar largimin e tij nga administrata e Donald Trump, duke përfunduar një periudhë të shkurtër, por të stuhishme, si punonjës i veçantë qeveritar në Departamentin për Efikasitetin Qeveritar, të njohur ndryshe si Doge.
Në një postim në platformën e tij X, miliarderi falënderoi ish-presidentin Trump për mundësinë dhe konfirmoi se përkundër largimit, “misioni i Doge do të forcohet me kalimin e kohës si një mënyrë jetese në qeveri”.
Largimi i Musk nuk është i papritur – pozicioni i tij kishte kufizime kohore – por ai vjen vetëm një ditë pasi kritikoi ashpër projekt-ligjin e buxhetit të Trump, të cilin ky i fundit e ka quajtur “projektligji i madh, i bukur”. Musk deklaroi se ligji do të rriste ndjeshëm deficitin federal dhe “minon punën” e Doge për të ulur shpenzimet.
“Mendoj se një projektligj mund të jetë i madh ose i bukur – por jo të dyja njëkohësisht,” u shpreh ai në një intervistë për CBS.
Musk, i cili ishte zotuar të ulte shpenzimet federale me 2 trilionë dollarë, reduktoi synimin e tij disa herë, duke përfunduar me një objektiv prej 150 miliardë dollarësh. Deri më tani, rreth 260,000 vende pune janë prekur nga programi i shkurtimit, edhe pse gjykatat kanë urdhëruar kthimin në punë të një pjese të punonjësve të shkarkuar.
Ndërkohë, Tesla – një nga kompanitë që Musk drejton – ka pësuar një rënie historike prej 13% në shitje dhe një rënie të çmimit të aksioneve me 45%, përpara se të rikuperohej pjesërisht.
Musk ka njoftuar se do të përqendrohet më shumë tek drejtimi i kompanive të tij dhe do të zvogëlojë përfshirjen në qeveri, ndërsa ka premtuar një udhëheqje të qëndrueshme në Tesla për të paktën pesë vitet e ardhshme.
.