
Elis Halili është përzgjedhur si kryebashkiak i përkohshëm i Vlorës pas dorëheqjes nga posti të Ermal Dredhës.
Këshilli bashkiak i Vlorës u mblodh rreth orës 10:00 të paradites së sotme. Elis Halili kandidoi përballë Klea Lalo dhe Irena Toshkallari për postin e kryetarit të përkohshëm të bashkisë së Vlorës deri në zgjedhjet e ardhshme.
Votimi për 3 emrat ishte i fshehtë, ndërsa në përfundim të procesit u përgjodh Elis Halili si zëvendësues i Ermal Dredhës.
Ishte pikërisht Elis Halili, i cili u emërua vetëm pak ditë më parë si kryetar i komanduar, disa minuta para dorëheqes së ish-kreut të Bashkisë.
Në fjalën e tij pas emërimit, Halili falënderoi anëtarët e Këshillit për besimin dhe u shpreh se do të fokusohet në zbatimin e projekteve zhvillimore të qytetit, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët e Vlorës.
“Unë jam Elis Halili, kam lindur dhe jam shkolluar në qytetin e Vlorës. Jam rritur në këtë qytet. Fati, por edhe shkollimi që kam marrë, jam inxhinier ndërtimi më ka sjellë prej 7 vitesh në qytetin e Vlorës. Kam drejtuar dhe kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve kryesore të këtij qyteti. Këto projekte të cilat e kanë çuar qytetin në këtë pikë që është sot. Për mua është kënaqësi, por më shumë edhe detyrim, që të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak më kanë besuar për të drejtuar bashkinë në këtë përudhe tranzitore, deri për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë. Fokusi jonë do të jetë në zbatueshmërinë e të gjitha projekteve që ta bëjnë më mirë jetesën në këtë qytet”, Elis Halili.