
U mbyllën këtë të hënë ndeshjet e fundit të javës së 15-të të Superiores, ku Elbasani dhe Dinamo morën fitore të rëndësishme.
Në stadiumin “Elbasan Arena”, Elbasani mposhti Vllazninë me rezultatin 1-0, në një përballje të luftuar. Takimi u komplikua për shkodranët që në minutën e 26-të, kur Gjini u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Vllazninë me një lojtar më pak.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Tsague, i cili i dha Elbasanit tre pikë shumë të vlefshme. Me këtë fitore, verdheblutë ngjiten në krye të renditjes me 29 pikë, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e katërt me 25 pikë, brenda zonës së “Final Four”.
Pas përfundimit të takimit, pati tensione mes lojtarëve të Vllaznisë dhe arbitrit Olsid Ferataj, me shkodranët që shprehën pakënaqësitë e tyre për arbitrimin. Situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së policisë, për të garantuar largimin e gjyqtarit nga fusha.

Në ndeshjen tjetër të javës, Dinamo tregoi forcë duke fituar 0-3 në transfertë ndaj Flamurtarit, duke konfirmuar formën pozitive dhe duke mbetur në garë për objektivat e sezonit.
Pas 15 javësh të luajtura, Elbasani kryeson Superiore, ndërsa gara për zonën Final Four vijon të jetë e fortë dhe e hapur.






