
Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e 10-të të Kategorisë Superiore, duke mposhtur minimalisht Flamurtarin në transfertë.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa rastet më të mira u krijuan nga Ramirez dhe Diallo. Në pjesën e dytë, pas një goditjeje nga këndi, Lajthia realizoi me kokë golin e vetëm të takimit.
Flamurtari tentoi disa herë të barazonte rezultatin, por portieri Janaçek u tregua vendimtar me ndërhyrjet e tij. Në minutën e 84-t, një penallti e dhënë fillimisht për vlonjatët u anulua pas verifikimit në VAR.
Me këtë sukses, Elbasani ngjitet përkohësisht në vendin e parë me 20 pikë, ndërsa Flamurtari mbetet në fund të renditjes me vetëm 5 pikë.
Në ndeshjen tjetër të javës, Dinamo dhe Teuta u ndanë në barazim pa gola. Kryeqytetasit luajtën me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Maliqit në minutën e 62-të. Dinamo renditet në vendin e tretë me 18 pikë, tre më shumë se Teuta e vendit të pestë.
Trazira pas ndeshjes në Vlorë
Pas përfundimit të sfidës Flamurtari–Elbasani, në stadiumin e Vlorës janë regjistruar momente tensioni midis tifozëve të dy skuadrave.
Sipas burimeve në terren, një grup tifozësh elbasanas ka dëmtuar ulëset në tribunë dhe i ka hedhur në drejtim të mbështetësve vlonjatë, duke shkaktuar përplasje verbale dhe fizike.
Forcat e rendit ndërhynë menjëherë, duke rikthyer qetësinë dhe parandaluar përhapjen e dhunës. Policia ndodhet ende në vendngjarje për të vlerësuar dëmet materiale dhe për të identifikuar personat e përfshirë në incident.
Ngjarje të tilla kanë qenë të rralla në Vlorë vitet e fundit, por përplasja e sotme ka ringjallur debatet mbi sigurinë në stadiume.






