Në Elbasan u prezantua sot projekti i detajuar për ndërtimin e Automotoparkut, një kompleks sportiv ndërkombëtar që synon të kthehet në një destinacion kyç për garat e Formula 1 dhe aktivitetet automobilistike. Projekti, sipas standardeve të FIA dhe FIM, pritet të mirëpresë deri në 300 mijë spektatorë dhe mbi 1 miliard shikues globalë.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një motor të ri për ekonominë shqiptare: “Ky projekt nuk është thjesht për një garë me makina, por për të krijuar një destinacion të ri, një qendër moderne për sigurinë rrugore dhe edukimin e brezave të rinj.”

Metalurgjiku i Elbasanit do të transformohet në një Qendër Kombëtare për Prodhim, Logjistikë dhe Teknologji Inovative, duke u transformuar nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër.

Gjatë një takimi me sipërmarrësit e zonës së Metalurgjikut, kreu i qeverisë tha se Parku ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe do të bashkojë Tiranën me Elbasanin.

“Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra dhe ideja duhet të jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë, dhe duhet të bëhet bashkë me automotorparkun. Pika që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin, dhe që do ta bëjë Elbasanin pjesë të metropolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme. Që të vish të punosh këtu është një distancë po aq ose edhe më e shkurtër se sa ç’mund të jetë distanca që të merr të shkosh të punosh nga njëra anë e Tiranës në tjetrën. Duhet kuptuar se ka potencial për të hapur kryeqytetin dhe dhënë një energji dhe frymëmarrje të re me të dy këto pika, që janë shumë afër njëra-tjetrës, parku i Kombinatit dhe Automotorparku”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te takimi i projektit të Automotorparkut që sipas tij nuk do të jetë një investim vetëm për Formula 1, por do të shërbejë edhe për sigurinë rrugore.

“Nuk bëhet fjalë për një investim për një garë, por për t’i instaluar ekonomisë shqiptare një motor të ri. Ky projekt është ekonomi, jo garë me makina sepse në harkun e 360 ditëve të vitit, ky projekt do të krijojë një destinacion, ku në qendrën e vet do jetë siguria rrugore dhe që nga fëmijët vegjël, deri tek më të rritur që ngasin një makinë, do duhet t’i referohen kësaj qendre për testimet përkatëse që do jenë pjesë e të qenit tonë anëtarë të BE”, tha shefi i qeverisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu