
Elbasan – Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Bankrupt”, që çoi në goditjen e një skeme kriminale të përfshirë në falimentime të qëllimshme të bizneseve fason, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Sipas njoftimit zyrtar, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Elbasanit të datës 2 qershor 2025, për ndalimin e katër shtetasve të përfshirë në këtë skemë mashtruese.
Tre prej të ndaluarve, shtetasit A. K., 40 vjeç (i kapur në Tiranë), G. L., 60 vjeç, me shtetësi italiane (i ndaluar në Pikën Kufitare të Rinasit në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria), dhe Z. K., 27 vjeçe, rezultojnë të jenë administratorë të subjekteve të përfshira. Ndaj tyre u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”. Ndërkohë, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, u caktua masa “arrest në shtëpi”.
Të katërtit akuzohen për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjithashtu, është vendosur sekuestro preventive mbi 7 fasoneri të përfshira në skemë si dhe mbi 12 llogaritë bankare të tyre.
Hetimet kanë nxjerrë dyshime të forta se këta shtetas bashkëpunuan për të çuar qëllimisht në falimentim këto biznese, në mënyrë që të shmangnin pagesën e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
Policia dhe Prokuroria e Elbasanit po vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë rrjetin dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme.