
Investimet në rrugë të reja, me infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore të shtrira në të gjitha qytetet e vendit, vijojnë me projekte, të cilat ndodhen në faza të ndryshme zbatimi.
Në rrugën e re Elbasan – Librazhd, një nga kantieret më të më të rëndësishme të Korridorit VIII, aktualisht po punohet për ndërtimin e dy tuneleve me 1.1 km gjatësi, që do të lidhin pjesën e Elbasanit me pjesën e Librazhdit, duke u kthyer në një arterie të rëndësishme të qarkullimit si dhe duke çliruar gjithë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave.
Investimi, që është në fazën e pestë të ecurisë së tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërkohë që pjesë e projektit është edhe ndërtimi i dy urave të cilat lidhen direkt me tunelin.
View this post on Instagram
Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantier për të inspektuar ecurinë e punëve së bashku me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
“Këtu ndodhemi në një nga kantieret më të rëndësishme të Korridorit 8-të. Këtu praktikisht ndodhemi fazën e 5 ku po ndërtojmë 2 tunele nga 1.1 kilometër secili, të cilat lidhin pjesën e Elbasanit me pjesë e Librazhdit. Fillimisht në studim, edhe në projektim ka qenë vetëm 300 metra tuneli, por duke qenë se kishim një impakt shumë të madh në qytetin e Librazhdit përsa i përkiste prishjes së një sërë shtëpive apo dhe pronave u rishikua duke i dhënë këtë zgjidhje. Sigurisht këtu është edhe inxhinieri, nuk jemi në formacion të lehtë si ai i Llogorasë, por nuk jemi as në një formacion të vështirë aq shumë sa Murrizi. Jemi në diçka të mesme, kemi fraktura shumë të mëdha të gjeologjisë këtu, të cilët na e bëjnë disi të vështirë situatën, por jo të pamundur dhe jo me atë kompleksitet.” – shpjegoi Zv/Kryeministrja Balluku, e cila për të konkretizuar, bëri një krahasim me ecurinë e punimeve me tunelin e Llogarasë. “Për ta bërë pak më të kuptueshme 2 metra e gjysëm, krahasimisht me 24 metrat që bënim Llogaranë, duke qenë se aty formacioni është gëlqeror dhe shumë më i qëndrueshëm, por e kemi gjetur zgjidhjen. Shikoni që prania e ujit është e shumtë në zonë, ndaj dhe këtu funksionon me sisteme pompimi, po siç e thatë kryeministër ne tashmë kemi kaluar mbi Murriz dhe nuk na ndalon më asnjë gjë, kështu që është gjetur çelësi.” – u shpreh ajo.
Zv/Kryeministrja Balluku parashikoi gjithashtu se me këto ritme të hapjes, muaji shtator do të bëjë të dukshme dritën në anën tjetër të tunelit.
“Ne mendojmë se dritë do të shohim shumë më shpejt. Çarja do bëhet shumë më shpejt, mendojmë diku nga shtatori do kemi dritë nga ana tjetër. Tani jemi mbi 400 metra, tunelet që të dyja janë 1.1 kilometër, kështu që në fund të shtatorit do kemi përfunduar me gërmimin, pastaj do të përdorim gjithë pjesën për të bërë dorëzimin në fillim të pranverës të vitit tjetër. Këtu jemi në fazën e 5-të. Faza e katërt është Baypassi i Librazhdit që ndodhet pas këtij tunelit, pra që lidhet me këtë tunel, ndërkohë që përballë kemi fazën e tretë. Faza e tretë nis në Labinot Fushë dhe më pas arrin domethënë mbikalimin e Xibrakës për t’u afruar te ura e Mirashit dhe deri këtu ndodhemi tani.” – detajoi Zv/Kryeministrja Balluku, teksa tha se pjesë e ndërtimeve janë edhe dy ura.
“Këtu kemi dy ura të cilat ndërtohen me 5 hapësira dhe lidhen direkt me tunelin. Këto të dy urat janë vazhdim i të gjithë segmentit. Segmenti që po ndërtojmë tani nga Elbasani dhe deri në fazën e 8-të është 26 kilometra, ecuria është e mirë. Kemi dorëzuar fazën e parë, ku ne sot operojmë, pra trafiku është i hapur në atë fazë. Në fazën e dytë kemi fazë deri në 36 %. Faza e tretë është kjo që shikoni këtu jemi 70 %. Ecuria është shumë e mirë dhe në fazën e 5 këtu ku ndodhemi jemi në 52 %.” – u shpreh ajo.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë, duke rikujtuar edhe punën sfiduese që u bë për hapjen e tunelit të Murrizit, një nga më të vështirët për shkak të gjeologjisë së zonës. Me këtë rast, Kryeministri inkurajoi vijimin me vepra të tjera madhore, të shumëpritura nga qytetarët, siç është rruga Librazhd- Dibër, për të cilën Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku informoi se po përfundohen detajet e fundit dhe do të jetë gati në fillim të prillit.
“Këta kur kaluan Murrizin, i kalojnë të gjitha. Kur e mbyllim Librazhd-Dibër? E dëgjoni ju dibranët, se për ju paska qenë kjo botë. Mirë rruga e Arbrit, po tani do dilni edhe te liqeni Pogradecit me shpejtësi të madhe.” – u shpreh Kryeministri Rama.