
Një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar me plagosje në Elbasan. Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar, i cili dyshohet se ka goditur me thikë vëllanë e tij, duke i shkaktuar dëmtime në dorë.
Ngjarja u zbulua pasi në Spitalin Rajonal Elbasan u paraqit për ndihmë mjekësore një 46-vjeçar, me plagë të shkaktuara nga mjet prerës. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u arrestua në flagrancë autori i dyshuar, shtetasi B. H., 35 vjeç, banues në fshatin Labinot Fushë, i cili dyshohet se ka goditur me thikë vëllanë e tij, shtetasin A. A., 46 vjeç, për motive të dobëta. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës së 35-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi thikën me të cilën dyshohet se është kryer plagosja, si edhe disa fishekë arme gjahu.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.






