
Një makinë e djegur është zbuluar mëngjesin e sotëm pranë fshatit Mirakë, në aksin Elbasan–Librazhd, vetëm pak orë pas ekzekutimit të biznesmenit Edmond Hyka (i njohur si Mondi Mëhalla). Policia dyshon fort se automjeti i djegur është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
43-vjeçari Hyka u vra mbrëmjen e kaluar me dy plumba, menjëherë pasi doli nga biznesi i tij dhe u fut në makinë. Sulmi ishte i shpejtë dhe i koordinuar, çka ngre dyshimet se bëhet fjalë për një atentat profesional.
Burime policore bëjnë me dije se viktima kishte precedent penal në fushën e narkotikëve, ndërsa hetimet po shtrihen në disa pista, përfshirë konfliktet e mundshme të mëparshme.
Makina e djegur, e cila u gjet në një zonë të pyllëzuar pranë Mirakës, është sekuestruar nga policia dhe po i nënshtrohet ekspertizës për të gjetur gjurmë të mundshme të autorëve. Hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.







