Policia e Shtetit ka bërë të ditur se pasditen e sotme do të finalizojë me sukses ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare.

Pritet që ai të mbërrij në aeroportin e Rinasit ditën e sotme rreth orës 16:00.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi i Çapjas është bërë i mundur falë shkëmbimit të informacionit operativ ndërmjet strukturave të specializuara dhe agjencive të huaja ligjzbatuese.

Çapja ndodhej në Dubai prej rreth 8 vitesh ku jetonte i pashqetësuar, ndërsa pas kthimit në Shqipëri do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin përjetë.

44-vjeçari Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas, i cili është kreu i një grupi të njohur kriminal në qytetin e Elbasanit, i cili ka pasur përplasje me grupin e një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit, Suel Çela.

Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.

Çapja është i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit Florenc Çapja, 44 vjeç, banues në Elbasan.

Për informacion më të detajuar, do të japim njoftim në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas./balkanweb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu