Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Koleksioni i Biblave”, ku për herë të parë ekspozohen mbi 400 Bibla të rralla, të shtypura në disa prej qendrave më të rëndësishme evropiane të botimit: Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX. Koleksioni plotësohet nga dorëshkrime me pjesë të Shkrimeve të Shenjta, të një vlere të jashtëzakonshme historike.

Ministri Gogu ndau përvojën e tij personale si anëtar i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë në fillimin e viteve 2000, ku priftërinj katolikë, ortodoksë dhe pastorë protestantë punuan mbi të njëjtin tekst biblik, duke krijuar përkthimin unik “Së bashku”. Ai e quajti këtë bashkëpunim shembull të rrallë të harmonisë ndërfetare dhe të një procesi që e ka bërë Shqipërinë model në familjen e shoqërive biblike.

Gogu solli në vëmendje edhe periudhën e errët të ndalimit të teksteve fetare gjatë diktaturës, kur Bibla u bë libër i ndaluar dhe njerëzit burgoseshin vetëm pse zotëronin një kopje. Ai u shpreh mirënjohës ndaj përkthyesve që kanë sakrifikuar jetën e tyre për t’i sjellë këto tekste në shqip, ndaj atyre që i ruajtën në fshehtësi dhe ndaj specialistëve që sot i restaurojnë dhe i ekspozojnë për publikun.

Në përmbyllje, ministri nënvizoi se kjo ekspozitë është një udhëtim i veçantë në historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, një ftesë për të gjithë – besimtarë, ateistë, agnostikë e njerëz të çdo rrugëtimi shpirtëror, për të parë se si gjuha jonë ka udhëtuar ndër shekuj dhe si shoqëria shqiptare është bashkuar vazhdimisht rreth Shkrimit të Shenjtë dhe vlerave që ai përfaqëson. “Mezi pres ta bëj këtë udhëtim së bashku me ju”, u shpreh Gogu. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 19 dhjetor 2025.

Fjala e plotë:
Të nderuar të pranishëm, i nderuar Imzot Doda, I nderuar At Grigori, miq të librit dhe të bibliotekës.

Për mua ishte shumë e thjeshtë për të lënë seancën plenare edhe për të qenë i pranishëm këtu sepse është një privilegj shumë i madh, pavarësisht se nuk ishte e lehtë.

E them këtë gjë sepse sot jemi në shtëpinë e kujtesës kolektive, në Bibliotekën Kombëtare dhe jemi në një ngjarje që është më shumë se fetare. Ekspozita e Biblës është një ngjarje aq sa kulturore, aq gjuhësore, por aq dhe shoqërore.

Kështu që të jem sot këtu dhe të adresoj çeljen e kësaj ekspozite është një nga privilegjet më të mëdha që kam pasur. Kjo sepse në fundvitet ‘90-të dhe gjatë viteve 2000 kam pasur gjithashtu një privilegj tjetër të shërbej si anëtar i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, së bashku me Imzot Mirditën dhe Fortlumturinë e tij, Anastas që sot fle me Zotin. Unë si përfaqësues i Kishës Protestante kam dëshmuar një proces tërësisht unik. E them këtë sepse Shoqëria jonë Biblike Ndërkonfesionale është pjesë e familjes së madhe të Shoqërive Biblike ku është dhe Shoqëria Biblike Angleze si shoqëria më e vjetër që ka nisur edhe punën.

E them unike, sepse tre klerikë; një prift katolik, një prift ortodoks dhe një pastor protestant, një herë të ndryshëm pra si pastor protestantë se një për Dhiatën e Vjetër dhe një për Dhiatën e Re; Dom Marian Paloka, At Johan Lena, Pastor Zef Nikolla dhe pastaj Oldi Morava u ulën në të njëjtën tryezë, me të njëjtin tekst, por që vinin nga tre tradita shumë të ndryshme të kishës.

Për herë të disatë shqiptarët u bashkuan bashkë dhe bënë një tekst që është sot aty, teksti “Së bashku”. Përkthimi është quajtur “Së bashku”.
Është unik në historinë e shoqërive biblike, se si të tre traditat e kishës kanë ardhur dhe kanë punuar mbi të njëjtin tekst, dhe kësaj radhe shqiptarët përsëri vijnë së bashku për të mirën e shoqërisë.

Dhe u përmend edhe nga drejtori si traditë që ka nisur shumë herët. Në fakt, Kristoforidhi ishte pas Vangjel Meksit. Shoqëria Biblike Angleze e kontakton Kristoforidhin dhe Shoqëria Biblike Angleze sponsorizon për herë të parë dhe të vetme edhe një abetare, që e sugjeroi Kristoforidhi sepse tha “ne kemi nevojë për një Abetare të Gjuhës Shqipe, në mënyrë që njerëzit të lexojnë Biblën, Shkrimin e Shenjtë”.

Dhe jam i sigurt që po të ishte këtu profesor Lloshi do ta thoshte këtë gjë.

Dhe pastaj vazhdoi me familjen Qiriazi, Shoqëria Biblike për t’u rihapur pas viteve ’90, ndërkohë që historia e përkthimit pra Bibla në shqip, si një laborator i gjuhës shqipe, ku shqipja jonë u fuqizua, u ndreq, u pastrua ka nisur shumë më herët, ka nisur që me Buzukun.
Pra, që kur kemi filluar të shkruajmë shqip, ka nisur me Shkrimin e Shenjtë dhe për mua nuk është gjë tjetër veçse është tamam ajo gjëja që shqipja ka mësuar të shkruhet duke folur me Zotin.

Ndërkohë që personalisht, si student i së drejtës, pra Bibla nuk ishte vetëm libër besimi, përpara se të bëhesha shërbëtor publik, tema e diplomës ka qenë historia e institucioneve të Izraelit, sepse aty mësova që Bibla ishte dhe libër ligji, ku ligji, falja, mëshira dhe drejtësia dialogonin me njëra-tjetrën.

Pra, nuk është vetëm një libër fetar dhe këtu u tha qartë: shoqëria jonë, arti, muzika, kanë marrë, janë themeluar në Bibël.

Ndërkohë që ne kemi gjithashtu një kapitull shumë të errët. Ndaj duhet të ndaloja dy minuta për ta kuptuar, që libri i parë i shqipes sonë të shkruar u bë edhe libër i ndaluar nga vitet, ’67-a në ’90-ën më kujtohet historia e një mësuesi matematike të nderuar në Berat, që u burgos vetëm se i gjetën Ungjillin në shtëpi.

Pra e kemi dhe atë pjesë të historisë sonë.

Dhe për të ardhur tani sot, jam i sigurt që një sërë tekstesh që kanë dalë nga bodrumet në liri…dhe për të na ftuar të gjithë neve që të paktën që ndërsa i vizitojmë do të na ngjallin disa ndjesi.

Ndjesia e parë është mirënjohja për të gjithë ata përkthyes që kanë punuar.
Sapo u portretizua njëri prej tyre: Zoti Meksi, Vangjel Meksi, i cili nuk arriti dot ta shihte frytin e punës së vet.

Por që kanë punuar pa fund me përkthimin, duke sakrifikuar nga jeta e tyre. Gjerasim Qiriazi këtë e ka shkruar në monografinë e tij “Pengu i Kaçakëve”, pra u mor dhe peng.

Nga ana tjetër, do të doja të shprehja mirënjohjen për të gjithë ata që guxuan dje për t’i ruajtur tekstet, dhe ata që sot, unë erdha para disa ditësh dhe e vizitova, i kanë marrë me shumë kujdes dhe i kanë ekspozuar dhe i kanë nxjerrë në dritë për të gjithë ne.

Ndjesia e tretë është ndjesia e kuriozitetit.

Sot, jam i sigurt që këtu mes nesh ka besimtarë, ka ateistë, ka besimtarë myslimanë, ka besimtarë të krishterë, ka agnostikë, ka njerëz të ndryshëm, induistë, ka dhe budistë, njerëz që në jetën e tyre shpirtërore janë në faza të ndryshme.

Por asnjëri nga ne nuk e ndalon më dikush që të ndërveprojë me Biblën, siç ndodhi kur ai libër u bë i ndaluar.

Përkundrazi e fton në një kuriozitet për të parë se si ka udhëtuar gjuha jonë e mrekullueshme, sepse mund ta shikojmë që kur filloi të shkruhej dhe deri sot.

Se si shoqëria jonë e mrekullueshme, pavarësisht ndryshimeve, zgjodhi të bëhej bashkë dhe është bërë bashkë disa herë.
U bë bashkë në ditët e errëta të pushtimit otoman, u bë bashkë në ditët e ndritura të Rilindjes, ku filluam të mblidhemi rreth gjuhës, dhe u bë bashkë edhe 10–15 vjet më parë për të bërë një përkthim nga gjuhët origjinale.

Pra ajo që ka bërë Mariani, Zefi dhe Johani është unike sepse është përkthim nga gjuhët origjinale, nga hebraishtja dhe greqishtja e vjetër.

Kështu që këto janë pak a shumë ndjesitë e mia, ndërsa vij sot mezi pres të bëj së bashku me ju këtë udhëtim.

Kuptohet që gjithsecili nga këndvështrimi i tij.

Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu