Zhvlerësimi i fortë i valutave në muajin maj, duke prekur nivelet më të ulta historike, ka goditur direkt eksportet e mallrave. Pas një përmirësimi të lehtë në prill, eksportet kanë rënë me 12.4% në raport me vitin e kaluar.
“Gjatë muajit Maj 2024, në uljen e eksporteve prej -12,4 %, negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -2,7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me+0,4pikë përqindje”, tha INSTAT.
Kurse në 5 muaj eksportet e mallrave janë tkurrur me 16.1%, dhe ndikimi negativ ka ardhur nga Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,4 pikë përqindje. Në total nga janari në maj janë shitur jashtë vendit mallra me vlerë 165 miliardë lekë.
Ndërsa importet në maj arritën në vlerën 79 mld lekë, duke u ulur me -1,6 % krahasuar me vjet kur nga jashtë u blenë mallra me vlerë 80.5 miliardë lekë. kurse për periudhën 5 mujore janë në vlerën 364 miliardë lekë duke u tkurrur me 0.02% në raport me me vjet.
“Si pesërmujor, importet janë ulur me -0,02 %, krahasuar me pesë mujorin e parë 2023. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,5 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,5 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT. Shqiptarja.com