
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit, pranë një hoteli në pronësi të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako sipas raportimeve nga terreni. Një çantë e dyshimtë, e cila përmbante lëndë eksplozive, është lënë pranë hyrjes së hotelit, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe turistëve që ndodheshin në zonë.
Pas sinjalizimit, forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar perimetrin dhe evakuuar njerëzit përreth. Për neutralizimin e lëndës plasëse është kërkuar ndërhyrja e specialistëve të njësisë antieksploziv, të cilët kryen shpërthimin e kontrolluar.
Njoftimi i policisē
Në lagjen nr. 1, Durrës, në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.