
Një ekspertizë paraprake mjeko-ligjore ka zbardhur detaje të reja mbi vdekjen e 25-vjeçares nga Lezha, Xhuana Nikillaj, e cila humbi jetën në QSUT pasi u vetëhelmua me fostoksinë.
Sipas të dhënave nga ekspertiza, e reja kishte shenja të dukshme dhune në trup. Dyshohet se këto plagë janë shkaktuar nga ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Ndërkohë, informacionet e publikuara një ditë më parë se 25-vjeçarja ishte shtatzënë nuk janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Familjarët e viktimës kanë kallëzuar në polici se vajza e tyre është dhunuar në mënyrë brutale nga ish-partneri, duke kërkuar hetim të plotë të ngjarjes.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër. Sipas burimeve, në të ajo shkruante se nuk donte që personat që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë prindërve të saj.
Policia vijon kërkimet për kapjen e ish-partnerit të saj, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.



