
Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku dëshmoi të enjten më 2 tetor në cilësinë e dëshmitarit të thirrur nga SPAK në procesin gjyqësor për aferën korruptive të quajtur 5D, lidhur me kompetencat dhe detyrat e tij në procedurat e tenderimeve.
Veç Maznikut dhanë shpjegimet e tyre edhe pesë dëshmitarë të thirrur nga prokuroria, disa prej të cilëve ortakë në sipërmarrjen e hotelit me 5 yje në Durrës, ku është pjesë dhe kompania e lidhur me Redi Mollën. Tre dëshmitarët e fundit të kërkuar nga prokuroria, u vendos të rinjoftohen për t’u paraqitur në seancën e ardhshme më 9 tetor.
Prokurori i çështjes, Klodian Braho i drejtoi Maznikut disa pyetje lidhur me funksionet dhe përgjegjësitë në procedurat e tenderimeve, për mënyrën si zgjidheshin anëtarët e komisioneve të prokurimeve, si dhe për njohjet e tij me Redi Mollën, Mariglen Qaton etj..
Mazniku shpjegoi se ai mbante detyrën e titullarit të autoritetit kontraktor. Ai pranoi se kishte nënshkruar aktet për procedurat e tenderimeve, ndërkohë që shpjegoi se përgjegjësia ishte ngarkuar mi ekspertët e fushave përkatëse në Bashkinë e Tiranës.
Ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, e cilësoi veten vetëm si certifikues të proceseve të prokurimeve, duke nënvizuar se përgjegjësia për përmbajtjen e akteve ishte shkarkuar tek ekspertët e fushave përkatëse. Sipas Maznikut, kishte raste që realizoheshin dhjetëra procedura tenderash çdo ditë dhe se detyra e tij ishte që në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor të kryente verifikimin final të procedurës, si dhe të nënshkruante në fund të kontratës. Ai sqaroi se anëtarët e njësive të prokurimit dhe komisioneve të vlerësimit të ofertave përzgjidheshin sipas ekspertizës së tyre.
“Në të gjithë rastet, të gjithë ekspertët e fushave respektive e firmosnin dokumentin dhe e kishin marrë përgjegjësinë”, pohoi ndër të tjera Mazniku.
Ai shtoi se para se të nënshkruante, sigurohej që personat përgjegjës të kishin kryer firmosjen e akteve dhe detyrat e tyre. “Unë thjesht e certifikoja si proces”, ritheksoi Mazniku.
Ish-themelues i Lëvizjes Mjaft dhe Partisë G99 me Erjon Veliajn, Arbjan Mazniku shërbeu si nënkryetar i bashkisë Tiranë nga vitit 2015 deri në vitin 2023, kur u zgjodh ministër shtetit për Pushtetin Vendor. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Mazniku u zgjodh deputet në qarkun e Elbasanit.
Në vijim, ai tregoi se kishte pasur marrëdhënie të mira me ish-drejtorët Redi Molla e Mariglen Qato, ashtu si me të gjithë zyrtarët e nëpunësit e bashkisë. Nga ana tjetër mohoi të kishte pasur dijeni lidhur me interesat e dy të pandehurve, në kompani të tjera private.
I pyetur nga avokatët, Mazniku deklaroi se nuk kishte pasur asnjë lloj ndërhyrje tek ai për të favorizuar kompaninë 5D. Po ashtu, tha se nuk kishte dijeni se cili ishte personi që e administronte këtë kompani.
Dritan Kadiu, administratori i shoqërisë “Mediterranean Investment Group” që po ndërton hotelin me 5 yje në Durrës, që ka marrë dhe statusin special si investitor, që rezulton me lidhje me Redi Mollën, dha dëshminë e tij për njohen me këtë të fundit./panorama