
Ekspertë të angazhuar nga Këshilli i Evropës kanë ngritur alarmin se Shqipëria nuk po u garanton qytetarëve të drejtën për liri dhe siguri personale për shkak të përdorimit të shpeshtë të paraburgimit. Sipas tyre, situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe reformim të politikës penale raporton Tema.
Dy raporte të detajuara, rreth 60 faqe në total, janë përgatitur nga gjyqtari belg Theo Byl, zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Italisë Nicola Lettieri dhe gjyqtari portugez Filipe César Marques. Dokumentet u prezantuan në një tryezë të thirrur nga Ministria e Drejtësisë, ku u theksua se paraburgimi duhet të mbetet një masë e jashtëzakonshme dhe jo një praktikë rutinë.
Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, theksoi se ndërtimi i burgjeve të reja nuk është zgjidhja. “Mund të ndërtoni sa të doni burgje, por përgjigjja qëndron te politika penale dhe mënyra se si reagon një shtet ndaj këtyre çështjeve,” u shpreh ai, duke shtuar se gjykatat duhet të argumentojnë qartë pse një person duhet të mbahet në paraburgim.
Rekomandimet kryesore
Një nga propozimet themelore është kufizimi i veprave penale për të cilat mund të jepet masa e paraburgimit. Ekspertët sugjerojnë ndryshime në nenin 232 të Kodit të Procedurës Penale, duke përcaktuar se kjo masë duhet të zbatohet vetëm për krime me dënim maksimal jo më pak se pesë vjet burg.
Sipas Nicola Lettierit, mungesa e një pragu të qartë ligjor lejon që paraburgimi të kërkohet pothuajse për çdo vepër penale, çka bie ndesh me logjikën e vetë kodit. Ai theksoi se nuk është koherente që masat më pak ndëshkuese të kenë më shumë kushte sesa arresti me burg.
Ekspertët propozojnë gjithashtu ndryshime në nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, duke zëvendësuar termin “dyshim i arsyeshëm” me formulimin “baza të arsyeshme për prova apo indicie”. Çdo vendim për “arrest me burg” duhet të shoqërohet me një arsyetim të plotë dhe të individualizuar, ndërsa vendimet standarde apo “copy-paste” konsiderohen në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Një tjetër rekomandim është ulja e afatit maksimal të paraburgimit, që aktualisht arrin deri në tre vjet. Për veprat më pak të rënda sugjerohet kufizimi në një vit, ndërsa për ato të rënda në dy vjet.
Po ashtu, theksi vihet te përdorimi më i gjerë i masave alternative, si monitorimi elektronik, garancia pasurore, arresti shtëpiak, detyrimi për paraqitje dhe ndalimi i largimit nga vendi.
Ekspertët nënvizojnë se barra e provës për vazhdimin e paraburgimit duhet t’u takojë autoriteteve dhe jo të pandehurit, ndërsa prokurori ka detyrimin të kërkojë edhe prova në favor të personit nën hetim. Përshpejtimi i hetimeve mbetet një tjetër prioritet, pasi procedurat shpesh zvarriten për periudha të gjata.
Mesazhi përfundimtar i ekspertëve evropianë është i prerë: problemi nuk zgjidhet me më shumë burgje, por me ndryshim të politikës penale dhe të një mentaliteti që e ka kthyer paraburgimin nga përjashtim në rregull.






