
Në nisje të episodit të 9-të të sezonit të pestë të podkastit “Flasim”, Kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore politike, institucionale dhe sociale të javës, duke u ndalur te angazhimi ndërkombëtar i Shqipërisë, reformat në hapësirat publike, dëgjesat për Buxhetin 2026 dhe debati mbi balancën e pushteteve.
Samiti “Time To Decide Europe 2025”
Gjatë javës, Kryeministri Rama mori pjesë në samitin e nivelit të lartë “Time To Decide Europe 2025”, ku drejtoi panelin e tretë të fokusuar te sfidat e shteteve të vogla në një Europë dhe një botë ku rendi ndërkombëtar po kalon kriza të thella. Rama theksoi se lufta në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha gjeopolitike, përfshirë riarmatimin masiv të Europës, duke vënë në provë stabilitetin dhe rregullat e përbashkëta. Ai nënvizoi se Shqipëria, ndonëse një vend i vogël, po fiton gjithnjë e më shumë respekt në arenën ndërkombëtare për qasjen e saj rajonale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Çlirimi i hapësirave publike
Një tjetër pikë e rëndësishme e javës, sipas Ramës, është vazhdimi i aksionit për çlirimin e hapësirave publike. Në Tiranë janë çliruar mbi 100 mijë metra katrorë, ndërsa në Vlorë është ndërhyrë në një segment kyç si rruga Transballkanike, e cilësuar strategjike jo vetëm për qytetin, por për turizmin kombëtar. Kryeministri theksoi se këto hapësira, pasi të rikualifikohen, do t’u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve dhe vizitorëve.
Dëgjesat publike për Buxhetin 2026
Rama u ndal edhe te dëgjesat publike për Buxhetin 2026, duke theksuar se qeveria ka qenë gjatë gjithë javës në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Sipas tij, viti i ardhshëm do të shënojë rritje historike të pagave dhe pensioneve, si dhe investime publike në nivele rekord. Kryeministri deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku përfitimet do të jenë gjithnjë e më të prekshme për punonjësit e sektorit publik e privat, pensionistët dhe shtresat në nevojë, falë rritjes së qëndrueshme të mbështetjes sociale.
Balanca mes pushteteve dhe çështja e pezullimeve
Në pjesën e fundit të përmbledhjes, Kryeministri ritheksoi qëndrimin e tij mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së balancës mes pushteteve kushtetuese. Ai sqaroi se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike apo presion ndaj drejtësisë, por një betejë institucionale për mbrojtjen e kompetencave kushtetuese të ekzekutivit dhe parlamentit.
Rama solli si shembull pasojat e arrestimeve në arrest shtëpie të drejtuesve të ARRSH-së dhe KESH-it, duke argumentuar se këto masa lënë pa drejtim institucione kyçe të vendit. Sipas tij, pezullimi i një ministri e bën të pamundur zëvendësimin e drejtuesve, pasi ligji u njeh këto emërime vetëm ministrave përkatës, çka krijon pasoja të rënda dhe paralizuese për funksionimin e shtetit.
Kryeministri e cilësoi ndërhyrjen si një “këmbanë alarmi” për demokracinë, duke theksuar se respektimi i ndërsjellë i kufijve kushtetues mes pushteteve është thelbësor për konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar.






