
Kretë, 29 Mars – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një takim me shqiptarët e diasporës në Kretë, ku foli për zhvillimet e fundit në vend dhe rolin e rëndësishëm të diasporës në të ardhmen e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal tek progresi i bërë në vite dhe reformat që kanë sjellë një ndryshim të dukshëm në Shqipëri. “Shqipëria nuk është më ajo që ishte një dekadë më parë. Sot, ne jemi në një fazë transformimi që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, veçanërisht të diasporës”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare po punon për të lehtësuar mundësitë e investimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe për të forcuar lidhjet mes tyre dhe atdheut. “Ne duam që diaspora të mos ndjehet e huaj, por pjesë aktive e Shqipërisë së re, me të gjitha mundësitë për të kontribuar dhe për të qenë pjesë e suksesit të vendit”, shtoi ai.
Në takim, Rama foli gjithashtu për zhvillimet ekonomike dhe projektet që synojnë përmirësimin e jetesës në Shqipëri. “Ka ende shumë për të bërë, por hapat që kemi ndërmarrë janë të qarta dhe të vendosura drejt një të ardhmeje më të mirë”, përfundoi ai.
Takimi në Kretë shënon ndalesën e parë në serinë e takimeve përmbyllëse të fushatës së Kryeministrit me shqiptarët e diasporës për zgjedhjet e 11 majit. Ky ishte takimi i parë që një kryeministër shqiptar ka bërë në Kretë me komunitetin shqiptar që jeton në këtë ishull grek.