
Në nisjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Kryeministri Edi Rama u drejtua me një mesazh të fuqishëm grave dhe vajzave socialiste nga të gjitha qarqet e vendit, në një takim që u zhvillua njëkohësisht në 12 qytete.
“Shqipëria është grua, Europa është grua”, deklaroi Rama, duke theksuar se suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian “varet, në radhë të parë, nga nënat, nga motrat dhe nga bijat e Shqipërisë”.
Ai u shpreh krenar për mbështetjen e madhe që Partia Socialiste merr nga gratë dhe vajzat:
“Në rang kombëtar, 56% e zgjedhëseve gra dhe vajza mbështesin Partinë Socialiste, ndërsa në disa qarqe kjo përqindje shkon deri në 65%.”
Kryeministri kujtoi transformimin e rolit të grave në PS gjatë dy dekadave të fundit:
“Nga një kohë kur organizatat socialiste kishin zero gra, sot kemi rreth 40% të anëtarësisë gra dhe vajza, dhe 4963 organizata bashkëdrejtohen nga gra dhe vajza.”
Duke përmendur shembuj si Kamza dhe Bulqiza, Rama nënvizoi ndikimin transformues të grave në jetën politike dhe sociale:
“Falë afrimit të grave dhe vajzave në Kamzë, PS ka përmbysur realitetin e zymtë të asaj zone.”
Ai foli edhe për programet sociale dhe politikat e zhvilluara për gratë, përfshirë mbështetjen për nënat me fëmijë, rritjen e pjesëmarrjes në administratë, dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe arsimore:
“Sot kemi 6 maternitete europiane dhe 2100 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta. Kemi ndërtuar 53 spitale dhe 450 shkolla e kopshte të reja.”
Në fund, Rama e lidhi fuqinë e grave me rrugën drejt anëtarësimit në BE:
“Për t’iu dhënë çdo shqiptari dhe shqiptareje pasaportën e BE-së, na duhet mandati i katërt, një mandat më i fortë se të tria të mëparshmit.”
View this post on Instagram