
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me entuziazëm ndaj lajmit të emërimit të Igli Tares si drejtor sportiv i klubit të njohur italian, AC Milan. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehu krenarinë e tij për këtë arritje historike për një shqiptar në futbollin europian:
“Uau, Milani nën urdhërat e një shqiptari, kush do ta imagjinonte dot?⚽️🇦🇱😍
Tani e paimagjinueshmja tjetër është që emri i shqipos të hyjë në historinë e Milanit🤩🦅🇮🇹
Krenar për ty vëlla🖐️❤️”
Emërimi i Tares vjen pas një sezoni zhgënjyes për Milanin, që përfundoi në vendin e tetë në Serie A dhe humbi kualifikimin në garat europiane për herë të parë që nga viti 2019. Drejtori ekzekutiv i klubit, Giorgio Furlani, deklaroi se Tare është personi i duhur për të udhëhequr rindërtimin e skuadrës .
Me një përvojë 15-vjeçare si drejtor sportiv te Lazio, ku kontribuoi në fitimin e tre Kupave të Italisë dhe tre Superkupave italiane, Tare pritet të sjellë një vizion të ri dhe strategji të forta për rikthimin e Milanit në majat e futbollit europian.
Ky zhvillim është një moment krenarie për shqiptarët dhe një dëshmi e ndikimit në rritje të profesionistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare të sportit.