Në një takim me komunitetin e biznesit, Kryeministri Edi Rama prezantoi Paqen Fiskale si një instrument ligjor për formalizimin e ekonomisë dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të re besimi mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes, duke theksuar se kjo nismë “nuk është amnisti fiskale”, por një marrëveshje vullnetare për bizneset që nuk janë në konflikt me ligjin . Rama theksoi se, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, bizneset që zgjedhin të vetëkorrigjojnë deklarimet e viteve të shkuara do të tatojnë fitimin e rishikuar me vetëm 5%, duke shmangur kontrollet dhe barrën burokratike: “Paqja Fiskale është një nismë për të ndërtuar një urë të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes” .

Kryeministri sqaroi se përfitues janë pothuajse të gjitha sipërmarrjet që nuk kanë procese penale apo gjyqësore të hapura që vënë në dyshim legjitimitetin e të ardhurave, ndërsa biznesi i vogël mbetet i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin deri në vitin 2029. “Kemi të vetmin vend në kontinent ku biznesi i vogël nuk paguan tatim fitimi dhe kjo do të vazhdojë”, deklaroi Rama, duke shtuar se administrata tatimore do të ketë tolerancë zero ndaj subjekteve që fshehin xhiron për të qëndruar nën kufirin ligjor .

Gjatë diskutimeve me përfaqësues të sektorit të ndërtimit, Rama ishte kritik për standardet dhe përgjegjësinë sociale të ndërtuesve, duke paralajmëruar se “paqe me ndërtuesit nuk ka” sa i përket cilësisë dhe respektimit të ligjit. “Njerëzit paguajnë ëndrrën e jetës së tyre për një shtëpi dhe nuk mund të marrin një produkt të cilësisë së tretë”, u shpreh ai, duke paralajmëruar masa të forta, përfshirë listën e zezë për shkelësit .

Sa i përket bizneseve që zgjedhin të mos i bashkohen Paqes Fiskale, Rama theksoi se nuk ka penalitete të drejtpërdrejta, por mbeten kontrollet dhe procedurat administrative: “Paqja është marrëveshje vullnetare. Kush do paqe, e ka mundësinë; kush nuk do, është e drejta e tij” .

Në mbyllje, Kryeministri vlerësoi rolin e sipërmarrjes në rritjen ekonomike dhe uroi bizneset për Vitin e Ri, duke theksuar se suksesi i tyre është edhe sukses i shtetit: “Ju fitoni më shumë, ne marrim më shumë të ardhura dhe bashkërisht bëjmë punë më të mira” .

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu